Rama: S’do japim diploma pa vlerë
Aristir Lumezi
Turi i Edi Ramës “Vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim” ka zbritur dje në Patos dhe Fier. Në qendër të fjalës së kryetarit socialist para vullnetarëve që dëshirojnë të kontribuojnë për PS-në të mbledhur në këto takime, ka qenë arsimi. Rama ka premtuar se qeveria e ardhshme socialiste do të pajisë studentët me diploma me vlerë. “Ne do t’i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për nxënësit e studentët jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, por duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj. Ne kemi bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në 4 vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve e të të rinjve aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet”, tha Rama. Kreu socialist Rama duke folur për zgjedhjet, tha se socialistët do përfaqësohen në parlamentin e ardhshëm me njerëz që do jenë krenaria dhe jo turpi i shqiptarëve. “Politikanët e sotëm kanë përhapur mes tyre frymën e urrejtjes dhe të shpërfilljes. Ju për 18 vjet me radhë jeni gënjyer e po gënjeheni nga politika e vjetër e politikanëve. Zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë zgjedhjet e disa partive politike, nuk janë as zgjedhjet e disa politikanëve, ato janë zgjedhjet tuaja, janë zgjedhjet e çdo shqiptari dhe shqiptareje që nuk mashtrohet me gënjeshtra qeverisëse. Ky popull nuk mund të mashtrohet nga një qeveri oborrtare e klientësh të pushtetit të një njeriu të vetëm. Nuk na duhet një fitore për të ndërruar qeverinë e disave, por na duhet fitorja për të ndërruar politikën e vjetër me politikën e re të qytetarëve. Nuk na duhet një fitore për të çuar në parlament 71 njerëz nga tanët, por na duhet një fitore për ta kthyer parlamentin nga një arenë e politikës së vjetër e sherreve, e shpifjeve, që të jetë krenaria e jo turpi ynë”, ka pohuar Rama. Sipas kreut të socialistëve, kjo qeveri nuk është ajo që meritojnë shqiptarët. “Kjo qeveri është njolla e zezë në këto 18 vjet, si analfabetizmi, varfëria, papunësia, prapambetja, për dhunën e korrupsionin. Vit pas viti varfëria po pushton familje shqiptare. Papunësia shton radhët kilometrike të shqiptarëve, të cilët kanë të drejtën e një pune të ndershme. Injoranca po ecën përpara drejt karrigeve”, ka pohuar më poshtë në fjalën e tij Rama, ndërsa e ka quajtur Sali Berishën si abuzues më votën e popullit. “Qeveria e Berishës u votua katër vjet më parë si qeveria e duarve të pastra, por sot qeveria Berisha është mali i punëve të pista. Kjo është koha jonë, ky është momenti ynë dhe askush nga ne, asnjë qytetar e qytetare nuk duhet që ta lërë bosh vendin e vet që të largojmë pushtetin e vjetër e t’i japim jetë pushtetit të ri. Është koha që politikën e re ta marrim në duart tona, tek ato duar që duan ndryshimin”, është shprehur Rama duke mbyllur fjalën e tij para të rinjve fierakë.