E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pas 28 Qershorit, LSI në krye të qeverisë së ardhshme

Lideri i LSI, takim madhështor me përkrahës të tij në Belsh
Lideri i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta në takimin e zhvilluar në Belsh të Elbasanit ka prezantuar Planin për Veprim të kësaj force politike duke u ndaluar tek bujqësia dhe punësimi. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se pas datës 28 qershor, LSI nuk do të vijë më si përfaqësuese e opozitës, por do të vijë në krye të qeverisë së ardhshme. Sipas tij, LSI është e vetmja forcë politike që ka bërë të qartë që tre prioritetet kryesore janë punësimi, punësimi, punësimi dhe ka treguar sesi mund të hapen 100 mijë vende pune të qëndrueshme në katër vitet që vijnë, 50 mijë nga të cilat në bujqësi dhe agro-përpunim. Në fjalën e tij, ai theksoi se këtë forcë politike e paraprijnë dy gara, duke veçuar si kryesore garën me Sali Berishën për zgjedhjet e 28 Qershorit. Por edhe një garë të bukur me njëri-tjetrin, që ndryshe nga partitë e tjera që rreshtojnë njerëzit në listë si ushtarët, ne kemi një marrëveshje dhe jemi në garë me njëri-tjetrin, sipas së cilës ai që merr më shumë vota në zonën e tij ka si prioritet për të qenë deputet, nënvizoi ai. Meta duke iu drejtuar banorëve të kësaj zone u shpreh se në 28 Qershor, me votën e tyre LSI do të jetë forca kryesore dhe përcaktuese për mazhorancën e ardhshme. Sipas tij, LSI pas zgjedhjeve të qershorit nuk do të vijë më si përfaqësuese e opozitës, por do të jetë në krye të Qeverisë së ardhshme. Ndaj është Koha për Veprim, për tu ndarë nga qeveria e Berishës dhe për ta nxjerrë në pension politik, por është koha për ti dhënë mbështetje një programi politik, që ndihmon mbi të paktën 1 milionë shqiptarë që të ndahen nga varfëria dhe papunësia, vijoi Meta. Sipas tij, i gjithë qëllimi i LSI është ulja sa më shumë e kostos së jetesës, e sidomos në ndihmë të familjeve të varfra dhe gjithçka në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit duke u përqendruar tek bujqësia, tek turizmi, tek shërbimet dhe transportet, sepse këto janë mundësitë e Shqipërisë. Kreu i LSI-së, theksoi se ajo që Dumreja kërkon nga kjo forcë politike është bujqësia dhe punësimi, që të dyja këto janë të lidhura me njëra- tjetrën. E vetmja forcë politike që ka bërë të qartë qe tre prioritetet kryesore janë punësimi, punësimi, punësimi dhe ka treguar sesi mund te hapen 100 mijë vende pune të qëndrueshme në katër vitet që vijnë, 50 mijë nga të cilat në bujqësi dhe agro-përpunim është LSI. Dhe në rast se ndonjë komunitet tjetër përfiton më shumë nga ky program është pikërisht komuniteti i Dumresë, theksoi Meta duke shtuar faktin se është ky një ndër faktorët e shumtë që LSI, duhet të mbështetet. Sepse, kjo forcë politike sipas kreut të saj, ka një vizion të qartë për të nxjerrë bujqësinë nga kriza, ka një program të qartë për të fuqizuar rolin e shtetit në programet për subvencionimin e prodhimit që nga imputet bujqësore dhe deri tek 20 për qind e masës së prodhimit. Ka një program të qartë për të krijuar industrinë agro-përpunuese. Duke u ndaluar më konkretisht tek programi i kësaj force politike, Meta përmendi faktin se LSI ka bërë të qartë se prioriteti është punësimi dhe për këtë qëllim, sipas tij LSI në gjithë politikat fiskale dhe arsimore, do i ketë në funksion të punësimit. Ne do të përjashtojmë nga tatim-fitimi për tre vitet e para, çdo biznes që punëson të paktën pesë veta dhe në raport me numrin në rritje të të punësuarve. Ne do të bëjmë dhe lehtësi dhe favore nga ana e shtetit dhe e qeverisë. Për çdo të punësuar të ri në biznese aktuale, ne do të zbresim nga tatimet punëdhënësin deri në 5 mijë lekë të reja në muaj. Njëkohësisht ne kemi si qëllim kryesor, uljen e kostos së jetesës, theksoi Meta. Në këtë takim, kreu i LSI-së është pritur me entuziazëm nga qindra banorë dhe simpatizantë të Belshit.

Last Updated on Sunday, 14 June 2009 16:46

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›