E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Po krijohet një kastë politike e ekonomike përjashtuese

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me gratë dhe vajzat e qytetit të Korçës. 

Qindra gra dhe vajza të Lëvizjes Socialiste për Integrim, mbushën plot sallën e Kinema Milenium, në këtë qytet. Kreu i LSI, Meta theksoi se "problemi i grave dhe i vajzave shqiptare është një problem, jo thjesht i tyre, por një problem i të gjithë shoqërisë, është një problem për sot dhe për nesër për sa i takon të ardhmes së vendit tonë". Ai akuzoi qeverinë shqiptare për mosndërhyrjen e saj për të frenuar këtë rritje galopante të çmimeve të produkteve më jetike për gjithë shqiptarët. "Berisha thotë se nuk ndërhyn në treg për të stabilizuar çmimet dhe për t'i ulur ato, por kur i duhet Sali Berishës që të rritë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, ndërhyn te privati për të caktuar pagat e punëtorëve dhe të punonjësve, aty ku preken monopolet e korrupsionit qeveritar", u shpreh kreu i LSI. Më pas, Meta tha se, ka një pasiguri ekstreme që vjen nga një politikë, e cila për nevoja personale rrezikon jo vetëm themelet e shtetit, por rrezikon edhe ato fondamente bazë të demokracisë në vend. "Kjo ndodh, sepse kemi një politikë e cila nuk synon të drejtojë përmes dialogut dhe transparencës, por synon të sundojë nëpërmjet krijimit të një kaste politike dhe ekonomike përjashtuese për shumicën e popullit shqiptar. Kjo është një kastë që mendon se populli shqiptar nuk ka nevojë të shprehet me referendum për formën e shtetit të vet", theksoi Meta. Duke u kthyer në debatet politike në vend, Meta u ndal gjerësisht tek ndryshimet Kushtetuese në natën e 21 prillit, që sipas Metës këto ndryshime janë tepër të rrezikshme për mbarëvajtjen e demokracisë në vend dhe për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Janë këto ndryshime kushtetuese, u shpreh Meta, që për fatin tonë te keq kanë marrë dhe aprovimin e një pjese të PS-së, që na kanë krijuar kaq shumë kriza institucionale, sikurse është bllokimi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për barazinë gjinore

Meta u shpreh se: "LSI mbështesim çdo iniciativë që ndërmerret, qoftë edhe ligjore, që rrit pjesëmarrjen e gruas në Parlament, në administratë dhe kudo, ndaj LSI do të jetë tërësisht e prirur që të kemi një përfaqësim sa më të madh të grave dhe vajzave në Kuvend". Më tej Meta theksoi se, çështja e gruas ka të bëjë me vetë integrimin dhe forcimin e familjes sonë, me vetë modernizimin dhe humanizmin e mëtejshëm të shoqërisë sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›