E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta e Biberaj: Rrethi i sigurimsave u ngushtua

Një nga nismëtarët e ligjit për pastërtinë e figurave, deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj shpreh rezervat e tij në lidhje me draftin e paraqitur nga partia e tij në komisionin parlamentar të Ligjeve. 

Në një prononcim për median zv.presidenti i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës ka deklaruar se me draftin e ri të përpunuar, PD-ja ka ngushtuar rrezen e veprimit, duke e krahasuar me ligjin e vitit 1996, "Për pastërtinë e figurave". "Rrethi i papajtueshmërisë së zyrtarëve është ngushtuar në krahasim me ligjet e mëparshme. Jam i mendimit se duhen rishikuar disa nene të projektit, dosjet duhen të hapen të gjitha si për ish-persekutorët dhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit", deklaroi Biberaj. Zv.presidenti i Asamblesë së KE-së, Biberaj ka rezerva edhe me kohën e shtrirjes së periudhës së rishikimit nga nëntori 1994 - 8 dhjetor 1990. Sipas tij, periudha e "penalizmit" të zyrtarëve duhet të jetë deri më 31 mars 1991. "Dihet që strukturat e Sigurimit të Shtetit kanë shumë aktivë dhe pas lëvizjes së dhjetorit dhe ne e kemi ndjerë si studentë të asaj periudhe", theksoi Biberaj. Ndërsa, deputeti i PD-së, Gjok Vuksani i bëri apel opozitës që të votojnë projektin e maxhorancës dhe të mos bëhen pengesë. Gjithashtu, Vuksani theksoi se "socialistët nuk kanë pse i tremben rishikimit të dosjeve të kryera nga komisioni Bezhani, pasi nëse dikush është i pastër nuk ka pse të mos i nënshtrohet sërish këtij proces. Askush nuk duhet të ketë frikë në hapjen e këtij procesi sërish, nëse ka qenë me të vërtetë i pastër nga vendimet e dhëna nga komisionet e mëparshme". Ndërsa Biberaj shprehet se "nëse PS-ja nuk jep konsensusin e saj për këtë projekt, ose nuk paraqet propozime, PD duhet ta votojë brenda muajit korrik draftin e saj".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›