E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, Leskaj: I papranueshëm ultimatumi i Godos

Ultimatumi i republikanëve për rifutjen e tyre në qeveri nuk pritet mirë në PD. Deputeti demokrat Bujar Leskaj thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se thirrja e fundit e Godos është e papranueshme. 

ADI SHKEMBI

Ish-ministri flet edhe për hapjen e dosjeve ku thotë se nëse ka ministra me dosje të ikin me bisht në shalë.
Prej disa javësh është duke u diskutuar ligji “Për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit”. Më parë ka pasur një ligj të PD-së në vitin 1995 dhe një komision të verifikimit të figurave që ka ekzistuar deri në vitin 2000. Këto dy ligje të mëparshme a e kanë zgjidhur përfundimisht këtë çështje, apo do të duhet sërish miratimi i një ligji për pastërtinë e figurës?
Ndonëse p/ligji “Për hapjen e dosjeve të sigurimit”, siç e përkufizoni ju në pyetjen tuaj, apo më saktë “Për verifikimin e figurës (pastërtinë) së të zgjedhurve në organet e larta legjislative a gjyqësore, e zyrtarëve në organet e larta të emëruar në administratë” ka 2-3 javë në diskutimin publik si problem, si dhe mbi 15 vjet që diskutohet në shoqërinë shqiptare dhe është ende i pazgjidhur për arsye nga më të ndryshme të udhëhequra nga mungesa e dashjes/vullnetit politik të segmenteve të caktuara (për fatin tonë të keq me peshë) të politikës shqiptare. Ne sot jemi ndërgjegjësuar se hapja e dosjeve (në fakt vetëm lustracioni për zyrtarët e politikanët e lartë të zgjedhur e të emëruar) është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, i cili edhe sot 18 vjet pas diktature rezulton jo i plotë. Ky proces 18-vjeçar ndahet në tre periudha: Vitet “’92-‘96", vitet “‘97-2002" dhe vitet mbas 2002-it.
Për këtë pastrim të politikës ne mund të bëjmë një ndarje në tre periudha: Periudha e parë: 1995-1996, kur ky proces po shkonte në hullinë e duhur falë vullnetit të PD-së në pushtet përmes ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995 dhe punës serioze të Komisionit të Verifikimit të Figurave që drejtohen nga i ndjeri Hajri Mezini. Gjatë kësaj kohe u mënjanuan nga politika apo u larguan nga administrata publike, policia, drejtësia etj., të gjithë ata që rezultuan të përfshirë në veprimtarinë e errët e antishqiptare të Sigurimit të Shtetit përpara vitit 1990 si drejtues, ekzekutorë apo bashkëpunëtorë (pa dallim ngjyre politike të marrë pas vitit 1990). Për fat të keq veprimtaria e këtij komisioni u ndërpre brutalisht nga ata që realizuan dhe erdhën në fuqi në vitin 1997. Kryetari i këtij komisioni z. Mezini është nxjerrë përdhunshëm nga zyrat e Ministrisë së Brendshme dhe dosjet, arkivat, për një kohë ngelën në mëshirë të fatit. (Kureshtarët të lexojnë dëshmitë e avokatit Nafiz Bezhani, kryetarit të Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurës së Zyrtarit të zgjedhur më 18 gusht 1997 nga maxhoranca e majtë e asaj kohe (N.Bezhani, libri “Mëkatarët” fq. 8-9). Periudha e dytë: gusht 1997-2002, kur ku proces u deformua, jo për fajin e përgjegjësi të z. Bezhani, por atë reduktim dhe deformim të ligjit, për arsye politike nga socialistët, nëpërmjet amendamenteve të janarit 1998 që ligji në fjalë pësoi. Pra, ligji u reduktua djallëzisht, duke e kaluar, mbartur në thelb problemin e krimit shtetëror të diktaturës komuniste, përmes tashmë vetëm dosjeve të bashkëpunëtorëve duke arritur së pari që nomenklaturat e larta kriminale të PPSH-së dhe sigurimi të ishin prezent në demokraci (këtë herë të frikshëm përmes mjegullës së fshehtësive e pisllëqeve) dhe çka është thelbësore, ta transformonte krimin drejt bashkëpunëtorëve (të cilët gjithsesi për mendimin tim, fatkeq apo jo, të detyruar në shtrëngesë a terror psikologjik asnjëherë nuk janë pa faj, më saktë pa një pjesë fundore të tij). Nisur dhe nga deklaratat e vetë z. Bezhani, kushtet jo të plota të punës, pengesat ligjore, administrative e morale të drejtuesve të asaj kohe të shtetit ky proces “përfundoi” me verifikimin e dokumentacionit përkatës të 6000 zyrtarëve, nga të cilët figurave të penalizueshëm sipas ligjit, 104 vetë. (Mëkatarët, V. I – fq. 233). Ç’ironi! Një ligj i deformuar në 1998 automatikisht pastroi qindra mëkatarë, drejtues të lartë të strukturave të hartimit e zbatimit të dhunës komuniste, të Sigurimit të Shtetit etj. Periudha e tretë: 2002 e deri më sot që flasin për paaftësinë, miopi apo dashakeqësi e mirëkuptim të politikës ky problem u harrua, u la në heshtje të ndërgjegjshëm të gjithë autorëve apo aktorëve të politikës, qendrore apo periferike, në parti politike a OJF, zyrtarë a gazetarë që kjo heshtje, harresë, vetëm shëndoshjes së demokracisë, konsolidimit të saj përmes institucioneve e individëve të pastër nuk i shërben, por përkundrazi e dëmton atë më rëndë. Më rëndë sesa duket në vështrimin e parë. Kjo çështje është ai pengim i madh, filli ku thuret e shthuret jo pëlhura e Penelopës, por dekomunistizimi i shoqërisë sonë, ende i paarritur. Në rast se ky problem nuk zgjidhet përmes këtij projektligji sot asnjëherë ne nuk do të mundim të prodhojmë politikë të fortë kombëtare, asnjëherë nuk do të ndërtojmë institucione të konsoliduara demokratike në legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor.
Nëse ky problem nuk është zgjidhur në vitin 1995, çfarë garancie ka që do të zgjidhet tani. Apo është një çështje që do të shërbejë edhe këtë herë për të harruar disa ngjarje parandaluese si tragjedia e Gërdecit dhe çështja e trafikut të armëve?
Ky problem ka garanci që do të zgjidhet sepse opinioni i shëndoshë shqiptar që e sheh të ardhmen demokratike të vendit, duke mos harruar të kaluarën sado të hidhur të jetë (e për këdo) është shumë herë më i vetëdijshëm sot për negativitetet, pengesat që ka sjellë e sjell ky fenomen, ky kontingjent (ideator- ekzekutor e bashkëpunëtor) për të sotmen e Shqipërisë. Ligji është i nevojshëm sepse dekomunizmi, si proces politik shoqëror përfshin, para së gjithash vënien para përgjegjësive për krimet e kryera në të shkuarën, abuzimin me pushtetin si dhe pasojat, padrejtësitë që janë realizuar direkt apo indirekt. Garanci tjetër është që tashmë kërkohet integrimi evropian edhe përmes këtij katarsisi. Asnjë nuk mund ta quaj këtë kërkesë atavike e folklorike përsa kohë që forumet evropiane miratojnë rezolutën të veçanta për këtë problem. Dihet se Rezoluta e Asamblesë Parlamentare e KE-së e vitit 1996 (nr. 1096) “Masat për të çrrënjosur trashëgimin e sistemeve totalitare komuniste” u shoqërua 10 vjet më vonë në 2006 me atë nr. 1481, “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Kuvendi i Shqipërisë aprovoi një rezolutë të veçantë në rrjedhojë edhe të detyrimeve të rezolutave të sipërpërmendura “Domosdoshmëria për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri”. Një pikë e kësaj rezolute të Kuvendit kërkon shprehimisht: “Hapjen e dosjeve për politikanët, drejtuesit e institucioneve të rëndësishme, përfshirë edhe ato kushtetuese, drejtuesit e sistemit të drejtësisë, si dhe drejtuesit e mediave kombëtare audio-vizive dhe atyre të shkruara”. E pra, kur është aprovuar kjo rezolutë, që ka shtruar dhe kërkesa të tjera për dekomunistizimin e shoqërisë, këto ngjarje si tragjedia e Gërdecit nuk kishin ndodhur, dhe nuk e besoj që të mendohet se mendje diabolike ta kishte projektuar edhe këtë. Mua më vjen keq që mbrojtësit e llogoreve të vjetra të politikës po e shfrytëzojnë edhe këtë tragjedi dhe me sofizmat e tyre kanë mbjellë këtë ide të pakuptimtë. Jo, zotërinj! Lustracioni i zyrtarëve e të zgjedhurve, largimi i ideatorëve, ekzekutorë, bashkëpunëtorëve të sigurimit nga institucionet publike përfshi edhe rendin e ushtrisë, i forcon këto struktura, i fut natyrshëm në NATO a institucione të tjera të sigurisë e rendit publik. Për ndonjë kritizier histerik që lexon këto rreshta do të pohoja që, Gërdeci ndodhi përmes të tjerash edhe për faktin se në radhët e drejtuesve të ndërmarrjes MEICO, por edhe të Forcave të Armatosura kishte dhe ka ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. E pikërisht ky ligj ashtu si do pastrojë politikën duhet dhe do të rregullojë moralin e institucioneve të ushtrisë, policisë, gjyqësorit (pse jo dhe medias). Ne të gjithë duhet të kuptojmë se pastërtia e drejtuesve të institucioneve të tilla është një kusht thelbësor për t’i ruajtur institucionet nga korrupsioni, kontrabanda e çdo lloji e dukuri të tjera kriminale.
Ju keni deklaruar se, nëse ka ministra me dosje të largohen me turp. Keni ndonjë informacion se ka ministra të tillë?
Deklarimin tim e kam bërë në kushtet e një interviste të shkurtër televizive, në përgjigje të pyetjes së gazetarit. E përsëris: “Nëse ka ministra me dosje, të largohen me turp”. Reagimet e opinionit shoqëror e politik për hir të së vërtetës kanë qenë pozitive, por unë nuk kam pasur ndonjëherë detyrë politike a funksionale të merrem me këtë çështje. Unë di për ministrat aq sa di gjithë opinioni shoqëror, në veçanti ata që kanë pasion historinë e ndryshimit, apo dinë të lexojnë nën rreshtat e çdo qëndrimi a deklarimi. Kështu që ne duhet të përsërisim më butë “Nëse ka ministra me dosje të largohen me bisht në shalë”. Në këtë kategori më duhet të fus dhe ish-ministrat. Shembulli bullgar flet vetë. Në këtë kontekst ndoshta për gjithë ish- ministrat e qeverisë shqiptare nga 1990 do të ishte e udhës të hapeshin dosjet, qoftë edhe thjesht për statistika e analiza që do t’i bënin politikës 18-vjeçare më pas.
Po qëndrimet më të fundit të PS-së si i komentoni?
Tentativa e PS-së për të shtyrë procesin është një veprim i qëllimshëm, i mirëmenduar në variantin e parë për ta rishtyrë në “kalendat greke”, apo në variantin e dytë që të vonohet në kohë me qëllim mosimplementimin e tij. E në këto rrethana mendoj që PD-ja nuk duhet të tërhiqet. Koha për këtë p/ligj është e plotë për ta diskutuar e votuar këtë sezon. Koha e humbur, e çuar dëm për lustracionin në Shqipëri është e shumtë në këto 18 vjet. Ne kemi nevojë për forcimin, zgjerimin e kontrollit të figurës së zyrtarit në funksione të larta shtetërore nëpërmjet institucioneve të posaçme. (Në SHBA p.sh., kontrolli i figurës së zyrtarëve të lartë të shtetit bëhet nga një institucion i posaçëm nën juridiksionin e FBI-së. Dhe objekti i kontrollit ka të bëjë me gjithçka të moralshme për personin, familjen dhe rrethin shoqëror.
Ditë pas dite, PR-ja është duke kërkuar rifutjen e saj në qeveri. E shikoni me vend këtë ngutje të kësaj partie për t’u rikthyer në kabinetin qeveritar, ndërkohë që ende nuk është sqaruar asgjë mbi Gërdecin?
PR-ja politikisht dhe numerikisht është aleati më i madh i PD-së në këtë koalicion me ngjyrë nga e majta e qendrës (Xhuveli), tek qendra apo qendra e djathtë. Si e tillë kërkesa e tyre për një post ministror është e drejtë. Është gabim të vendoset lidhja midis përfshirjes apo mospërfshirjes së PR-së në qeveri dhe Gërdecit. Kjo është një korrespondencë dashakeqëse pa argument politik. Gjithsesi ngutja e republikanëve personalisht më duket ashtu siç është dhe ju pyesni: ngutje, nxitim politik ndërsa ultimatum i fundit i republikanit Godo për kryeministrin më duket i papranueshëm. Kryeministri mund ta realizojë dhe në shtator këtë pjesëmarrje të tyre në qeverisje, kondicionuar dhe nga rrethana të tjera dhe nuk paraqet problem.
Rikthimi i PR-ës në qeveri, pritet të shërbejë edhe si një indicie për një rikompozim të kabinetit në tërësi. Në cilat sektorë të qeverisjes ka më shumë nevojë? A mendoni se duhet të ketë ndryshime thelbësore apo ndryshime të pjesshme?
Si fillim për vetë atë ç’ka ka praktikuar kjo qeverisje bazuar dhe në raportet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare (po citoj nga raporti i fundit i BB-së) pas një stanjacioni disavjeçar në këto 2-3 vitet e fundit, pra vitet e qeverisë Berisha vërehet një trend pozitiv i rritjes në treguesit e mirëqeverisjes. Kështu p.sh., në lidhje me cilësinë e mjedisit rregullator (sistemi i rregullave mbi të cilin bazohet veprimtaria ekonomike dhe tregu) apo edhe efektiviteti i qeverisë ne kemi progres të dukshëm, duke arritur ritme të qëndrueshme të rritjes ekonomike (6 % në vit) me një inflacion nën kontroll (nen 4 %). Investimet në infrastrukturë janë rritur ndjeshëm pa harruar, ato në fusha të veçanta si shëndetësi, arsim, ushtri, kulturë etj. Edhe buxheti shtesë që kjo qeveri ka paraqitur në Kuvend këto ditë e konfirmon këtë arritje. Vazhdimësia e punës për plotësimin e kërkesave të MSA-së dhe marrja e ftesës për në NATO janë tregues sinjifikativ të politikës së jashtme e të brendshme të kësaj qeverie, në dobi e shërbesë të shtetasve të saj, interesave shtetërore e më gjerë ato kombëtare. Megjithatë nisur nga treguesit e dobët përsa i përket a) forcës së ligjit dhe b) kontrollit mbi korrupsionin duhet të bëjmë e të punojmë më shumë përgjithësisht si politikë e institucione kushtetuese ku në veçanti qeveria, produkt i kësaj maxhorance ka barrën konkrete, detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë politike. Kjo përgjegjësi politike e parë në dy kënde që interferojnë me njëra–tjetrën (detyrimi i qeverisë ndaj shtetasve të një shteti, detyrimi i partisë fituese të mbajë premtimet ndaj elektoratit në tërësi dhe anëtarësisë së saj në veçanti), apo edhe nga fakti që zgjedhjet e ardhshme janë pas një viti e bëjnë të domosdoshëm procesin e ndërhyrjes në qeveri nga kryeministri. Në vendet në tranzicion si Shqipëria, qeveria si strukturë dhe qeverisja si proces gjithmonë ka nevojë për ndryshim, modernizim, përmirësim në përshtatje me nevojat aktuale të vendit pse jo dhe të ardhmen e formacioneve politike. Kabineti “Berisha” si një ekip integral është i realizuar me sukses përsa i përket ecjes në rrugën e duhur, në shinat e duhura po ndihet dukshëm në disa sektorë (për etikë nuk do t’i përmend) që shpejtësia evropiane e kryeministrit është larg, shumë përpara shpejtësisë butaforike të ndonjë ministri të kabinetit. Nuk po jap ministri konkrete pasi besoj se në intervista të tilla gjykime të lidhura me emra ministrash konsiderohen gjykime të bazuara në inate nominale dhe për më tepër në këtë situatë sjellin dëme dhe pengojnë proceset në qeveri. Unë besoj që Berisha jo thjesht si kryeministër i sotëm, por si lider i së djathtës dhe misionar i çështjes kombëtare do të realizojë ndryshime në qeveri (shpresoj brenda shtatorit) në emër të një mandati të dytë radhazi, që do t’u kërkojë shqiptarëve për të finalizuar projektet madhore për prosperitet kombëtar kudo, pse jo dhe për të ardhmen politike të Partisë Demokratike e të vetin si lider politike.
Nëse, si pasojë e balancave në PD, kryeministri Berisha nuk ndërmerr ndryshime rrënjësore në kabinet, e shikoni këtë përbërje si të gatshme të hyjë në fushatën elektorale dhe të fitojë mandatin e dytë qeverisës?
Teknikisht balancat janë në dorë të atij që ka peshoren, por dua të theksoj se ndryshimi i qeverisë në emër të arritjeve në të ardhmen, modernizimit dhe ekspansionit pozitiv politik të forcave që ajo mbart, në rast se bëhet mbi bazë të analizës, efikasitetit, produktit politik e teknik të nxjerrë nga ministra të veçantë dhe çka është më kryesorja kur ky ndryshim i ideuar dhe drejtuar nga vetë kryeministri në qetësi dhe në kohën e duhur padyshim i menduar për mirë në funksion të së ardhmes, është i dobishëm dhe i domosdoshëm. Pra, ndryshimet të dobishme dhe të domosdoshme!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›