E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, zbulohen postet që nuk duan republikanët

Pas ultimatumit të vendosur një ditë më parë për t’u përfshirë në qeveri deri në fund të këtij muaji, republikanët avancojnë me kërkesat e tyre. 

Adi SHkëmbi

Në takimin e fundit që kanë pasur me kryeministrin Berisha lidhur me ripërfshirjen e tyre në qeveri, republikanët kanë përcaktuar edhe disa prej posteve të cilat nuk do të parapëlqenin që t’i drejtonin, për shkak të peshës jo fort të madhe që ato kanë. Duke folur në një prononcim për gazetën “Panorama” kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, thotë se tre prej dikastereve që drejtohen nga PD-ja dhe dy aleatë, nuk janë në listën e preferencave të tyre. “Në takimin e fundit që kemi pasur me kryeministrin Berisha ne i jemi shprehur se nuk e duam postin e zv/kryeministrit dhe në bisedë e sipër me të kemi pasur edhe një shaka për të marrë postin e kryeministrit. Por gjithashtu nuk duam të drejtojmë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Partia Republikane ka kapacitetet e nevojshme për të drejtuar dikastere më me peshë se këto”, është shprehur Godo për gazetën. Megjithatë, Godo shton se, përveç këtyre posteve, Partia Republikane do të presë çdo ofertë të kryeministrit Berisha dhe më pas do të vendosë se cili do të jetë përfaqësuesi i saj në kabinetin qeveritar. Pas takimit të parë me kryeministrin Berisha, republikanët u shprehën optimistë lidhur me hyrjen e tyre në qeveri, madje deklaruan se një gjë e tillë do të ndodhë brenda korrikut. Por një ditë më parë ishte pikërisht kreu i Asamblesë së PR-së, i cili deklaroi se, nëse kryeministri Berisha nuk do të vendosë deri në fund të këtij muaji se çfarë posti do t’u japë republikanëve, ata mund të tërhiqen nga qeveria. “Kam bindjen se kryeministri Berisha do të gjejë një zgjidhje deri në fund të këtij muaji, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, ne do të rishikojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri”, shprehet Godo, duke lënë të kuptohet se mund të tërhiqen nga qeveria edhe dy zv/ministrat Neritan Alibali, nga Ministria e Ekonomisë dhe Aleksandër Garuli, nga Ministria e Mjedisit. Megjithatë sipas Godos, një gjë e tillë nuk do të ndodhë me postet dytësore që ka kjo parti në rrethe, pasi sipas tij, këto poste janë fituar falë rezultatit të republikanëve në zgjedhjet e 18 shkurtit. Në të njëjtën kohë Godo theksoi se, nëse nuk do të gjehet një zgjidhje për futjen e PR-së në qeveri, do të ketë rishikim të pozicionit vetëm për sa i përket nivelit ekzekutiv dhe jo daljes nga koalicioni. I pyetur se cilët janë postet që do të kërkojnë republikanët në kabinetin qeveritar, Godo tha se, kjo forcë politike pret ofertën konkrete nga PD-ja dhe kushti i saj i vetëm është që të drejtojë një ministri me peshë. “Në kabinetin qeveritar ka parti me deputetë dhe kanë ministri të rëndësishme, ndërsa PR-ja është partia e dytë më e madhe e koalicionit të djathtë”, vijoi më tej Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›