E Diel, 1 Nëntor 2026

“Meta-Prifti”. Gjykata mban sekret vendin e ekspertizës

29/09/2011  Prokuroria kërkon vendin ku do bëhet sepse janë 2 video të tjera. Betohen 2 ekspertë

TIRANE- Për shkak të debateve të shumta të zhvilluara në seancën e 24 shkurtit, si dhe për shkak të orarit të tejzgjatur (prej 5 orësh), Gjykata e Lartë doli nga plani, duke harruar të zhvillojë procedurën e betimit të tre ekspertëve që do kryejnë ekspertimin e videos Meta-Prifti. Duke qenë se ekspertiza do konsiderohej e paligjshme, Gjykata e Lartë ka nxituar të thërrasë në një seancë urgjentë përfaqësuesit e Prokurorisë dhe avokatët mbrojtës, ku para tyre dje nuk u paraqitën tre ekspertët, por vetëm dy prej tyre. Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri kanë bërë betimin para trupit gjykues duke marrë zyrtarisht detyrën për dhënien përgjigje të 18 pyetjeve të bëra nga gjykata, Prokuroria dhe avokatët mbrojtës. Ndërkohë që ditën e premte sërish Gjykata e Lartë do thërrasë palët në proces, të cilat do dëgjojnë betimin e ekspertit të tretë Artur Rrahmani, pasi ky i fundit për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqitej ditën e djeshme para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Pavarësisht qëllimit të zhvillimit të kësaj seance urgjente, përfaqësuesit e akuzës nuk kanë ndalur së bëri kërkesa ndaj gjykatës, ku i kanë kërkuar kësaj të fundit që të vijonin me dëgjimin e dëshmitarëve, dhe në një moment të mëvonshëm të dëgjonin konkluzionin e ekspertëve. Prokurori Bujar Sheshi i kërkoi gjykatës të caktonte një seancë të afërt ku do të vijohej me dëgjimin e dëshmitarëve, por trupi gjykues ashtu si në seancat e tjera rrëzoi kërkesën e Prokurorisë. Gjithashtu prokurori i kërkoi gjykatës, që t’i jepte adresën e vendit ku do kryhet ekspertiza e videos me qëllim që përfaqësuesit e akuzës të jenë të pranishëm, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, për shkak se sipas Prokurorisë në orën regjistruese ndodhen dhe dy video të tjera që janë objekt hetimi nga njësia hetimore Task-Forcë. Ashtu si kërkesa e parë edhe kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata, ndërkohë që më tej prokurori i tha Gjykatës së Lartë se është i domosdoshëm përdorimi i programeve kompjuterike të licencuara ose ndryshe të ligjshme, që të jenë blerë dhe instaluar nga një subjekt i licencuar. Kjo sepse sipas prokurorit përdorimi i programeve jo të licencuara mund të krijojë probleme edhe me kompanitë prodhuese dhe shitëse të programeve si dhe mund të përbëjë, shkak për vënien para përgjegjësisë së përdoruesve. Pritet që pas betimin të ekspertit Rrahmanllari, Gjykata e Lartë më 24 tetor do dëgjojë konkluzionin përfundimtar mbi video-përgjimin Prifti-Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›