E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memorial 12 të pushkatuarve të Velipojës, i pranishëm Tom Doshi

29/09/2011  I bënë rezistencë sistemit komunist. Tre prej tyre të afërm të deputetit socialist

SHKODER- Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë ka përkujtuar me anë të një memoriali të ngritur në fshatin Mal Kolaj të komunës Velipojës 12 burra të kësaj zone që u pushkatuan, u dënuan e humbën jetën nëpër burgjet e regjimit komunist, pasi dolën hapur kundër tij. Në këtë ceremoni ra në sy mungesa e deputetëve të djathtë, ndërkohë që krahas drejtuesve të komunës, përfaqësuesve të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë dhe Presidentit Topi, ishte i pranishëm deputeti i PS-së, Tom Doshi. Prania e deputetit Doshi në këtë ceremoni lidhej dhe me memorialin e ngritur për 12 burrat e Malit Kolaj, pasi tre prej tyre ishin të afërm të tij.

Ceremonia

Sekretari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, nga Mali i Kolajve, krahas nderimit që u bënë këtyre martirëve në memorialin e emërtuar “Martirët e demokracisë së Malit Kolaj”, kanë kërkuar nga politika që të dënonte krimet e komunizmit me vepra dhe jo me retorika. “Qeveritë shqiptare heshtin në ndërtimin e memorialëve të martirëve të vrarë nga sistemi komunist dhe janë të gatshme t’u shërbejnë atyre që i bënë këto vrasje”, theksoi sekretari i Shoqatës së të Përndjekurve, Besim Ndregjoni. Nga ana e tij, deputeti Tom Doshi duke vlerësuar 12 malësorët e Malit të Kolajve që nuk iu nënshtruan komunizmit, theksoi se pushteti aktual nuk ka asgjë të përbashkët me të persekutuarit e regjimit komunist. “Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar kujtimin e 12 burrave malësorë që përcaktuan vetë fatin e tyre me rrugën që zgjodhën. Ajo rrugë i futi në histori. Ishin burra të qëndresës dhe jo të nënshtrimit. Në luftën e tyre kundër komunizmit morën parasysh edhe vdekjen. E bënë këtë jo se nuk e deshën jetën, por morën pushkën në dorë me bindjen se kështu respektojnë traditën e tyre të mosnënshtrimit, traditën e besës, nderit e burrërisë e mbi të gjitha të lirisë. Ne nuk jemi të gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtorë. Qeveritarët e sotëm nuk ndajnë asnjë vlerë të përbashkët me të persekutuarit politikë, përkundrazi sillen si mësuesi i tyre Enver Hoxha dhe kjo tregohet edhe sot që nuk ka asnjë deputet të PD-së këtu. Unë personalisht në këtë memorial që sot inaugurojmë kam të gdhendur emrat e familjarëve të mi. Nuk jam me PD-në se ajo ka tradhtuar me kohë kauzën e kësaj shtrese, kauzën e antikomunizmit dhe të rikthimit të dinjitetit material e moral”, theksoi deputeti i PD-së, Tom Doshi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›