Meta-Prifti, thellohet lufta mes dy politikanëve
Ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka bërë publike dje për mediat disa dokumente që vërtetojnë, sipas tij, se ai nuk ka shkelur asnjë ligj, ashtu sikurse mund të duket në videon e publikuar. Sipas Metës, kompania për të cilën ai ka ndërhyrë te ish-ministri i Ekonomisë, Prifti, kishte fituar gjyqin e Apelit disa muaj para se të bëhej përgjimi dhe se Gjykata e Lartë nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Madje, sipas Metës, për këtë ishte në dijeni edhe vetë ministri Prifti. Por, sipas Metës, Prifti e ka montuar qëllimisht videon për të bërë shantazh ndaj tij.
Sqarimi
Duke iu referuar bisedës së regjistruar në video, ku flitet për një vendim të Gjykatës së Apelit që gjoja nuk ekzistonte, Meta ka bërë publik dje para mediave dokumentin përkatës. “Këtu është e gjithë praktika, kartela shoqëruese e praktikës së kërkesës së përsëritur nga ana e kompanisë në fjalë ndaj ish-ministrit, ku i bëhet e qartë, dokument që është nisur në datën 5 janar 2010 nga përfaqësuesit e kompanisë në Ministrinë e Ekonomisë, dokument që është protokolluar më 3 shkurt dhe memo, e cila më 5 shkurt mban disa shënime, ku është edhe shënimi i ish-ministrit për këtë kërkesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelitm për vazhdimin e procedurave, që ishte i formës së prerë, ku thuhen shumë qartë disa elemente, përveç të tjerave”, - është shprehur Meta. Madje, ndërsa ka cituar pjesë nga letra, Meta ka sqaruar edhe domethënien e shifrës 700 mijë euro. “Zoti ministër, u mbushën tre vjet që kjo shoqëri është angazhuar dhe po investon konform ligjit për ndërtimin me koncesion të HEC-eve mbi lumin Gostimë-Shushicë-Elbasan. Investimi dhe shpenzimet e kryera deri tani nga aksionerët e shoqërisë e kalojnë shifrën 700 mijë euro”, - është shprehur Meta, ndërsa ka cituar letrën e kompanisë në fjalë, e cila bashkëlidhur ka të shoqëruar edhe Vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë, me numër 265, datë 10 shtator 2009. Sipas Metës, ky dokumentacion ka pasur një shënim të ish-ministrit Prifti. “Z. Kraja, këta kanë fituar gjyqin. Të procedojmë për t’ia vazhduar”, - shkruan Prifti në këtë dokument sipas Metës.
Ish-zëvendëskryeministri më tej deklaron se i gjithë ky dokumentacion tregon se videoja është montazh dhe është përgatitur qëllimisht për ta shantazhuar atë. Meta tha se drejtësia do të nxjerrë në pah të vërtetën për këtë çështje.
“Kjo tregon edhe njëherë tjetër se ndërhyrja ime ka qenë për zbatimin e ligjit, për zbatimin e vendimit. Kjo tregon edhe njëherë tjetër se e gjithë kjo histori është fund e krye jo vetëm një përgjim i paligjshëm dhe kriminal, por edhe një montazh mëse i rëndomtë dhe jo profesional”, - është shprehur Meta, ndërsa shtoi se Gjykata e Lartë nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje për shkak se kompania, pasi ka fituar gjyqin e Apelit, nuk i është drejtuar më Gjykatës së Lartë.
BOX
Ilir Meta:
“Biseda është një montazh që do të provohet nga vetë hetimi, por edhe gjithë biseda është një provokim i qëllimshëm, pikërisht për të mbledhur gjoja materiale që do të përdoreshin më vonë për t’i bërë shantazh kryetarit të partisë së ish-ministrit”.
“Ky vendim nuk është apeluar nga askush më pas në Gjykatën e Lartë dhe Gjykata e Lartë nuk ka pasur asnjë çështje në këtë punë. Dhe provokimi i tij për Gjykatën e Lartë ka qenë tërësisht i qëllimshëm”.
“Ky hetim do të provojë edhe njëherë tjetër një përgjim të paligjshëm, një përgjim kriminal, një përgjim të provokuar, një montazh vërtet të shëmtuar, i cili do të tregojë qartë se ka një shpërdorim detyre nga ish-ministri”.
Prifti: “Kam video të tjera, por nuk vazhdoj i vetëm”
Ish-ministri deklaron se ka marrë kërcënime nga LSI-ja
Fill pas deklaratës së Metës ka reaguar dje ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Gjatë një deklarate për shtyp Prifti garantoi se videoja nuk është e montuar, por origjinale. Ai tha se këtë video të plotë e ka në dispozicion prokuroria dhe është shumë e lehtë të verifikohet nëse është e manipuluar apo jo. Ish-ministri deklaroi se akuzat e Metës dhe të njerëzve që qëndrojnë pas tij se videoja është montazh, është thjesht një lojë e kryetarit të LSI-së për të blerë median dhe Drejtësinë. Më tej Prifti shtoi se disponon një dosje të tërë me prova për korrupsion dhe abuzim me detyrën të ish-ministrit Meta në krye të Ministrisë së Ekonomisë. Prifti tha se këtë dosje do ta depozitojë së shpejti në Prokurori. Ai tha gjithashtu se ka të tjera video që do t’i bëjë publike vetëm në rast se gjen mbështetjen e Drejtësisë shqiptare.
Qëndrimi
“Videoja që unë kam regjistruar është e paprekur dhe e pamanipuluar. Loja e montazhit nga Meta bëhet vetëm për të fituar kohë, për të blerë mediat dhe Drejtësinë. Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale nëse videoja është sadopak e prekur”, - është shprehur Prifti, ndërsa akuzat e Metës për montazh i cilëson strategji për të blerë Drejtësinë. “I vetmi justifikim i Metës dhe qeveritarëve të tjerë është se videoja është një montazh. Ata nuk guxojnë të përballen me të vërtetën që zëvendëskryeministri i vendit bën afera duke ofruar 7%, ose bën anulimin e një ankandi, atë të naftës, që të fitojë miku i tij”, - është shprehur Prifti. Ish-ministri reagoi edhe ndaj dokumenteve të bëra publike nga Meta duke i cilësuar ato të manipuluara. “Ka nxjerrë edhe një shënim që unë kam bërë një memo muaj para videos. Unë, për shkak të hetimit, nuk i bëj publike datat. Nuk ka asnjë jurist, nuk ka asnjë shans që ai t’i gënjejë shqiptarët”, - ka theksuar Prifti. Ai ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do të dorëzojë në prokurori materiale të reja që tregojnë pasuritë e paligjshme të Metës, brenda dhe jashtë vendit. “Unë këto ditë do të shkoj sërish në prokurori me një dosje të re për Metën, ku do të denoncoj aferat e tij në 3 muaj kur ai ka qenë ministër. Ai ka bërë kërdinë. Do të tregoj pasuritë e tij të paligjshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, - ka deklaruar Prifti. Ai ka ripohuar se qeveria aktuale është më e korruptuara dhe ka ritheksuar se koalicioni mes PD-së dhe LSI-së duhet të prishet sa më parë. Sipas Priftit, korrupsioni mban në këmbë qeverinë aktuale, me Metën që i bën shantazhe Berishës me votat e tij në Parlament. Më tej ai ka folur edhe për një marrëveshje të fshehtë që Meta kishte bërë me Ramën, përmes komunikimeve të fshehta me mesazhe telefonike. “Meta ka pasur marrëveshje me Ramën, por nuk mendonte që vota ime do të ishte për PD-në. Kam një mesazh në celular që Meta ia ka dërguar Ramës përmes një korrieri dhe thotë: ‘Vëlla, si e degjeneruam Tan Priftin do t’ua bëj të gjithëve sepse janë të korruptuar. Jam mërzitur nga Dragobia (Berisha)’”, - shkruhet në mesazhin që sipas Priftit, Meta ia ka dërguar Ramës. Nga ana tjetër, Prifti ka pohuar dje për mediat se ka zhvilluar një takim me kryetarin e PS-së pasi është larguar nga posti i ministrit të Ekonomisë, por se deri tani nuk ka asnjë marrëveshje me të. Prifti tha se në të ardhmen mund të bashkohet me PS-në ose mund të krijojë një parti të tijën opozitare. “Jam takuar me zotin Rama dhe me disa deputetë të PS-së. Kam disa variante: të bashkohem me PS-në, të krijoj një forcë të re opozitare, si dhe të largohem nga kjo politikë e qelbur dhe të shoh hallet e mia”, - ka shtuar Prifti. Por ai ka kërkuar mbështetje për t’i shkuar më tej kësaj çështjeje, pasi përpara ka shumë rreziqe. “Unë po bëj një politikë opozitare dhe kam nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Po bëhet një plan për eliminimin tim fizik”, - është shprehur ai.
BOX
Dritan Prifti tha:
“Loja e montazhit nga Meta bëhet vetëm për të fituar kohë, për të blerë mediat dhe drejtësinë. Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale nëse videoja është sadopak e prekur”.
“Zëvendëskryeministri i vendit bën afera duke ofruar 7%, ose bën anulimin e një ankandi, atë të naftës, që të fitojë miku i tij”.
“Unë këto ditë do të shkoj sërish në prokurori me një dosje të re për Metën, ku do të denoncoj aferat e tij në 3 muaj. Ai ka bërë kërdinë. Do të tregoj pasuritë e tij të paligjshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë”.
“Meta i bën shantazhe Berishës me 3 votat e tij në Parlament. Meta e di që nuk e voton më njeri partinë e tij dhe po përgatitet të blejë votat në zgjedhjet e ardhshme”.
Megi Ajtyresa: “Sa më shumë flet Meta, aq më shumë revoltohen shqiptarët”
Selia rozë ka reaguar dje pas deklaratës së ish-zëvendëskryeministrit Meta. Zëdhënësja për shtyp, Megi Ajtyresa, është shprehur dje për mediat se Meta po provokon gjithnjë e më shumë popullin shqiptar, i cili po përgatitet për demonstratën e 21 janarit. “Sa më shumë flet Ilir Meta, aq më e madhe bëhet revolta në shpirtin e shqiptarëve të vjedhur e të tallur prej kësaj qeverie kusarësh e matrapazësh të paparë. Sa më shumë flet Ilir Meta, aq më i kthjellët duket rreziku i madh që e kërcënon këtë vend prej maskarallëkut në pushtet. Sa më shumë flet Ilir Meta, aq më i ndyrë duket ai bllok kusarësh në duart e qeverisë që Saliu do ta mbajë në këmbë si një monument turpi për çdo shqiptar të zakonshëm, socialist a demokrat qoftë. Sa më shumë flet Ilir Meta, aq më të shumtë duhet të jenë në demonstratën e 21 janarit prindërit që s’duan ti lënë fëmijët në duart e pista të kësaj qeverie”, - është shprehur Ajtyresa.
19 Janar 2011