E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE Kukan Te respektohet vendimi i Kolegjit

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan deklaron se palët politike në Shqipëri tani duhet të punojnë për integrimin e vendit. Për vendimin e Kolegjit Zgjedhor ai thotë se duhet pranuar nga palët në Tiranë, pasi institucionet në Shqipëri janë të ligjshme.

“Në Shqipëri ka institucione të ligjshme, të cilat janë të përgjegjshme për vendimet që marrin. Unë mendoj se është e domodoshme që vendimet të pranohen, për t'u përqëndruar tashmë në axhenden europiane, për t'u
marrë me 12 kriteret që janë përcaktuar për Shqipërinë. Forcat politike duhet të jenë në nivelin e kërkesave të kohës për të komunikuar me njëra-tjetrën dhe për të diskutuar në frymë dialogu problematikën aktuale politike që kanë mes tyre”-tha Kukan.

Paralelisht me këto këshilla, Kukan propozon edhe ribërje të ligjit zgjedhor në mënyrë të tillë që të rritet besimi i palëve dhe historia e zgjedhjeve pa standarte të marrë fund njëherë e mirë në Shqipëri.

“Mendoj se ka ardhur vërtet koha për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë histori që përsëritet në çdo zgjedhje. Pra, është e domosdoshme të përgatiten ligje më të mira për zgjedhjet, të cilat të jenë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it. Kjo do të ishte garancia që kjo situatë negative me zgjedhjet, të përfundonte njëherë e mirë”-theksoi ai.
 
“Palët politike në Shqipëri duhet të piqen për të treguar se interesi parësor është ai i qytetarëve të saj, dhe ai lidhet me integrimin”- deklaron  kreu i delegacionit të PE –së, Kukan.

Gjovalin Kola/Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›