E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat dhe pensionet, qeveria vendos 3.1% rritje më shumë në korrik



Erald Kapri

Qeveria miratoi ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së qeverisë, indeksimin e pagave dhe pensioneve për këtë vit në masën 3.1 për qind. Sasia e shtesës në pagë prej 3.1 përqindësh do të përfitohet nga buxhetorët dhe pensionistët gjatë muajit korrik, ku do të fillojë edhe rritja e pagave dhe pensioneve. Indeksimi përcakton rritjen e çmimeve mesatare dhe në bazë të llogaritjes së tij rriten edhe minimalisht pagat ose pensionet. Kështu, në muajin korrik çdo pagë ose pension do të ketë një rritje të detyrueshme minimale në masën e 3.1 përqindëshit. Gjithsesi, politika e qeverisë është një politikë që në rritjen e pagave dhe pensioneve përfshin edhe indeksimin e tyre. Pra, në muajin korrik do të ketë rritje pagash, e cila përfshin brenda edhe indeksimin. Rritja e shpejtë e çmimeve ka tronditur edhe qeverinë, e cila duket se ka përshpejtuar planet për rritjen e pagave dhe pensioneve. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka bërë të ditur për mediat se qeveria ka garantuar masat financiare për të përballuar çdo situatë. “Ne kemi parashikuar deri në 60 milionë dollarë”, - ka deklaruar Shehu. Qeveria ka garantuar se mundësitë financiare të saj janë të bollshme për të përballuar kompensimin si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.
Indeksimi
Rritja e fundit e çmimeve kap një vlerë mesatare për vitin e kaluar në tërësi prej afërsisht 3 për qind. Ky është edhe vlerësimi grupit të punës ndaj dhe indeksimi është vendosur 3.1 për qind. Grupi i punës e ka vlerësuar këtë shifër si rritjen mesatare e çmimeve në ekonomi dhe ka arritur në konkluzionin se rritja aktuale e çmimit të bukës është më shumë një spekulim. Sipas ekspertëve të qeverisë, kjo situatë në treg, e shfaqur në disa produkte si buka, është spekulative, sepse një rritje çmimesh shfaqet në mënyrë graduale dhe jo në mënyrë kaq të menjëhershme, çka tregon spekulim në disa biznese. Gjithashtu, sipas vlerësimeve të grupit të punës, situata për momentin nuk është në gjendje kritike dhe po të llogaritet rritja që ka ndodhur kohët e fundit, ka një efekt negativ në xhepin e qytetarëve, në masën e 600 lekëve në muaj. Grupi i punës ka vlerësuar indikatorët, duke përfshirë edhe inflacionin për të llogaritur kompensimet. Ministria e Financave po vëzhgon ecurinë e rritjes së çmimeve. Sipas planit paraprak, në rast se rritja e çmimeve kërcënon shtresat në nevojë, atëherë mund të procedohet më shpejt me rritjen e pagave, pensioneve dhe të ndihmës ekonomike.
Rritja
Grupi i punës ka parashikuar paraprakisht rritjet që do të ndodhin për pagat dhe pensionet e të gjitha niveleve gjatë muajit korrik. Këtë vit, qeveria, duke pasur edhe rritje çmimesh të larta, ka vendosur të jetë më bujare dhe të vendosë një rritje nga më të lartat, ku mesatarja do të jetë rreth 10 ose 12 për qind si për pensionet, ashtu dhe për pagat. Kështu, pensionet e larta në qytet do të kenë një rritje minimale prej 5 përqindësh. Pensionet e qytetit do të rriten në masën mesatare prej 10 përqindësh. Ndërkohë, pensionet e veçanta si të invaliditetit apo pensionet e tjera të ngjashme, do të kenë rritje deri në 20 për qind. Skema është e ngjashme dhe për pagat, ku sa më e lartë të jetë ajo, aq më e vogël do të jetë edhe rritja. Kështu, është parashikuar që rritja e pagave të larta të jetë 5 për qind, e pagave të mesme në manës e 10 për qind dhe pagave të ulëta në 15 për qind.

Skema e rritjes së pagave në korrik

Rritja mesatare 10-12 %
Pagat minimale 15-20 %
Pagat e mesme 10 %
Pagat e larta 5 %

Skema e rritjes së pensioneve në korrik

Rritja mesatare e pensioneve 10%
Pensionet e larta në qytet 5 %
Pensionet mesatare në qytet 10 %
Pensionet në fshat 15 %
Pensionet e invaliditetit 15-20 %
Pensionet e ulëta të veçanta 10-20 %
Ndihma ekonomike 20 %

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›