E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana: “Asnjë nënvlerësim kundër Elbasanit”



“Tirana i ka kushtuar seriozitetin më të lartë ndeshjes në Kupë me Elbasanin, edhe pse ka fituar takimin e parë 3-0”. Kjo është deklarata e sekretarit të ri të KF Tirana, Edi Gjini në linjë telefonike për “Albania”-”. “Ndeshja është e rëndësishme dhe për fat të mirë ne kemi në dispozicion formacionin më të mirë, pasi nuk kemi asnjë mungesës”, - shton Gjini. Tirana fitoi të shtunën 5-1 me Vllazninë në kampionat dhe entuziazmi ka rritur adrenalinën bardheblu. “Skuadra do të akomodohet në Chateau Linza dhe në mbrëmje do të jenë të pranishëm edhe të katër donatorët, të cilët do të ndjekin së bashku me skuadrën edhe takimin Liverpul-Çelsi”, përfundon sekretari Gjini. Takimi Tirana-Elbasani do të gjykohet nga Breshani.
VLLAZNIA – Shkodranët humbën 5-1 ndeshjet e fundit në kampionat me Tiranën në kryeqytet, në një ndeshje më se të shëmtuar për formacionin shkodran. Gjithsesi, për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Dinamos, djemtë e malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç synojnë të paraqiten ndryshe, ndaj një kundërshtari, që ka mundur dy javë më parë po në këtë kompeticion me rezultatin e thellë 4-0. Vllaznia i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në finale, çka mund të sillte edhe trofeun e parë të presidentit Valter Fushaj dhe të gjashtin e Vllaznisë në Kupë.
SHIJAKU - Për ta bërë edhe më enigmatike pjesën e dytë të komedisë “Dinamo-Vllaznia”, pas asaj së parës në Shkodër (Vllazna fitoi 4-0 kundër një formacioni të panjohur blu), ndeshja e kthimit gjysmëfinale është spostuar në “Tofik Jashari” në Shijak, duke mos u luajtur në kryeqytet, edhe pse në Tiranë ka dy stadiume që përmbushin standardet e kërkuara nga FIFA. Për ta bërë edhe me të lehtë gjykimin i përzgjedhuri nga shorti, Sino (pa e paragjykuar) nuk është një emër i spikatur për të përballur një sfidë të tillë.
BILBIL ÇEK - Finalja e 56-të e Kupës së Shqipërisë (pritet të jetë Tirana-Vllaznia) do të gjykohet nga arbitra të huaj. Lajmi konfirmohet nga burime pranë FSHF-së, që shtojnë se gjyqtarë mund të jenë çekë. Edhe para dy sezonesh, kur Tirana fitoi 1-0 me Vllazninë (gol i Klodian Duros) u gjykua nga italiani Stefano Farina.

Kupa e Shqipërisë
Gjysmëfinalet
23 prill
Tirana-Elbasani (3-0)
Gjyqtarë: B.Breshani, G.Koka-R.Avdo
Stadiumi: “Selman Stërmasi”, Tiranë
Dinamo-Vllaznia (0-4)
Gjyqtarë: E.Sino, S.Zeka-A.Molla
Stadiumi: “Tofik Jashari”, Shijak
* Ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Lala, dyqan “droge” në Tiranë

Altin Lala do të hapë në bashkëpunim edhe me “Drogeriemarkt-Kette Rossman”, një kompani gjermane që operon me sukses në tregun e produkteve bio (xhiro vjetore 3.2 miliardë euro), një dyqan në Tiranë. Dirk Rosman, një nga biznesmenët më të njohur gjermanë dëshiron me futbollistin profesionist të Bundesligës, Altin Lala të pushtojë tregun shqiptar. Partneri i ri i biznesit të Dirk Rosman mban nofkat si “xhuxhi luftarak” apo “pastruesi”. Gazeta gjermane “Bild” e renditi lojtarin e kombëtares shqiptare, Altin Lala (32 vjeç) në vendin e pestë të lojtarëve të padëshiruar në Bundesligë. “Me kostum e kravatë, - shkruan sajti gjerman welt.de, - dhe vetëm 1.72 metra mbrojtësi i peshës së lehtë duket shumë miqësor dhe aspak i dëmshëm”. Lala së bashku me Dirk Rosman do të hapë në vjeshtë e këtij viti në Shqipëri një dyqan për shitjen e produkteve bio. Firma është ndërtuar dhe ajo quhet “Rosman&Lala”. “Në këtë vend gjithçka ka filluar të lëvizë. Në disa vite mund të fitosh para, por duhet njohësh edhe mënyrën se si funksionojnë dyqanet lokale”, - thotë Rosman. Ja dhe detyra që do të bëjë Altin Lala. “Unë njoh shumë njerëz në Shqipëri”, - thotë ai. Dyqanesh bio nuk ka ende në Shqipëri, çmimet do të jenë gati 20 për qind më shumë se në Gjermani. Kështu që produktet gjermane në vendin me tre milionë banorë do të vlerësohen shumë. Rosman është një nga të parët tregëtarë nga Gjermania perëndimore në vendin e varfër buzë Adriatikut. Rrjeti “Drogeriemarkt-Kette Rossman” aktualisht është i shtrirë në dhjetë vende europiane si në Gjermani, Austri, Zvicrës, Britani e Madhe, Sllovaki, Greqi, Spanjë, Slloveni, Belgjikë e Holandë, ku ka 105 mijë pika shitje.

Lacio, interesim i fortë për Gjasulën

Lacio pritet të marrë ngjyra të forta shqiptare sezonin e ardhshëm. Te ekipi italian i presidentit Lotito, luan aktualisht prej tri sezonesh Igli Tare, ndërkohë që kosovari Valon Behrami, është në ikje e sipër edhe pse lacialët i ofruan një pagë vjetore prej 600 mijë eurosh në sezon në këmbim të rinovimit të një kontrate pesëvjeçare. Emri i ri në shënjestrën e klubit roman është Jurgen Gjasula, shqiptari që luan në Zvicër me St. Gallen dhe që zotëron pasaportë gjermane. Tiranasi, sipas asaj që shkruan sajti sportiv italian calcimercato.com, ndiqet prej kohësh nga të Lacio, që kërkon t’i japë trajnerit Rosi (apo trajnerit të ardhshëm) një mesfushë në lartësinë për një sezon të ardhshëm kompetitiv. Prokuratori i Gjasulës la folur për interesimin e Lacios edhe gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Gjithsesi, klubi bardhekaltër ende nuk i ka shpejtuar operacionet për të kontraktuar lojtarin. Në fakt për tifozët e Lacios, Gjasula është thuajse një i panjohur dhe në komentet që shoqërojnë shkrimin thuhet shpesh. “Po kush është ky?..”. Gjithsesi, duke parë faktin se flitet për një shqiptar i identifikuari “xander” shkruan: “Mjafton të jetë më i fortë se Tare dhe nëse vendos të njëjtin impenjim si ai, do të mund të ishte një lojtar i mirë”.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›