Meta: Qeveria e përkushtuar për njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Tiranë,11 shkurt, NOA- Qeveria dhe diplomacia
shqiptare janë të përkushtuara për avancimin e procesit të njohjes së Pavarësisë
së Kosovës. Kjo është garancia që dha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i
Punëve të Jashtme, Ilir Meta gjatë takimit të sotem me zëvendësministren e Jashtme
të Kosovës, Vlora Çitaku.
Zhvillimet në Kosovë e rajon, ecuria e procesit
të njohjes së Kosovës, ndihma dhe mbështetja për konsolidimin e institucioneve
të saj, proceset integruese europiane e euroatlantike dhe marrëdhëniet
dypalëshe ishin temat kryesore që u trajtuan në takim.
Lidhur me procesin e njohjes së pavarësisë së
Kosovës, Meta, i rikonfirmoi Çitaku përkushtimin e plotë të qeverisë shqiptare.
Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit
rajonal, Ministri Meta shprehu gatishmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet e
duhura për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha forumet dhe
projektet e bashkëpunimit rajonal.
Meta vlerësoi se; Republika e Kosovës ka
përshkuar në një kohë shumë të shkurtër një rrugë e cila ka lënë gjurmë të
forta në themelet e këtij shteti dhe që është reflektuar edhe në njohjen
ndërkombëtare dhe në progresin e institucioneve të Kosovës.
Në planin konkrete të bashkëpunimit, Meta dhe
Çitaku konstatuan nivelin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe
Kosovës dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e
infrastrukturës, energjitikës, tregtisë, turizmit, arsimit dhe kulturës, dhe
investimeve të përbashkëta në këta sektorë.
xh/NOA