E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi, fillon verifikimi i deklaratave për ish-të përndjekurit

Arkiva e Shtetit dhe SHISH-i do të hapin dritën jeshile. Institucionet do të verifikojnë në themel deklaratat
Të gjitha deklaratat e pretenduesve për “dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë” do të kalojnë tashmë për verifikim në Arkivën e Shtetit, Shërbimin Informativ dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka dorëzuar pak ditë më parë në tryezën e kryeministrit projektvendimin, i cili kërkon shqyrtimin në themel të kërkesave të subjekteve që pretendojnë se kanë kryer burg për shkak të qëndrimeve të tyre politike gjatë periudhës së diktaturës. Në fakt, ky projektvendim nuk është gjë tjetër veçse formalizimi i fazës së dytë të verifikimit të parashikuar edhe në ligjin “Për dëmshpërblimin e të përndjekurve” të miratuar në nëntor të vitit të kaluar. I gjithë koordinimi i strukturave të sipërpërmendura do të konsistojë veçanërisht në konfirmimin e Pikës d të Nenit 26 të ligjit. Kjo pikë në fakt përbën dhe konfirmimin që kërkon ligji për vërtetësinë e burgimit për arsye politike apo diktatoriale e në të cilën përcaktohet shkurt e qartë se “sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë”. E pikërisht e gjithë puna kërkuese e Arkivës së Shtetit, Shërbimit Informativ dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të konsistojë në shqyrtimin e detajuar e në themel të kësaj të dhëne e më tej në kthimin e përgjigjes Ministrisë së Drejtësisë.
Hetimi i dytë
Shqyrtimi i bashkërenduar është faza e dytë e hetimit, të cilit i nënshtrohen kërkesat që rezultojnë dënime politike në kuptim të këtij ligji. Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit brenda afatit 30-ditor shqyrtojnë kërkesat dhe, me njoftim individual, shprehet secili, nëse i dënuari politik plotëson kriteret e përcaktuara në Shkronjën “d” të Nenit 4 të ligjit. Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje. Më tej, punonjësi përgjegjës, në përputhje me Nenin 28 të këtij ligji, përgatit relacionin, të cilin ia paraqet ministrit të Drejtësisë. Ligji parashikon se “kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji. Brenda 5 ditëve, Ministria e Drejtësisë e kualifikon kërkesën”.
Shqyrtimi i parë
Shqyrtimi i drejtpërdrejtë është faza e parë e hetimit, i cili kryhet në sektorin e gjendjes gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm për të përndjekurit politikë të regjimit komunist) dhe, sipas rastit, në Arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues, që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, kërkohet në të gjitha variantet emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi edhe indicjet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, për gjeneralitetet e tij. Kur provohet se kërkuesi, gjatë të njëjtit gjykim apo gjatë gjykimeve të tjera, është dënuar për një ose më shumë vepra penale, politike dhe jopolitike, ai evidenton llojin dhe, sipas rastit, kohën e saktë të vuajtjes së dënimit, gjithsej, politik dhe jopolitik, në një formular të veçantë, që i bashkëlidhet dosjes. Në vijim, dosja u përcillet për shqyrtim të bashkërenduar organeve të tjera shtetërore, për të parë nëse çështjet janë sipas kritereve të përcaktuara në Shkronjën “d” të Nenit 4 të ligjit “Për shpërblimin e ish-të përndjekurve politikë”.

Kriteret për të përfituar dëmshpërblim

I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991;
b) Heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre penale politike, siç përcaktohet në Nenin 5 të këtij ligji;
c) Të ketë kryer ose të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë plotësisht ose pjesërisht;
ç) Të kenë fituar pafajësinë, sipas Ligjit Nr. 7541, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar;
d) Sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë.

Ish-të përndjekurit, 500 dosje në shqyrtim

Nga Ministria e Drejtësisë është bërë e ditur se numri i dosjeve që kanë nisur të shqyrtohen kanë shkuar në 500, ndërsa ende nuk është arritur në studimin përfundimtar të një dosjeje që do të sillte dhe miratimin e emrit për dëmshpërblim. Ndërkohë, rreth 400 dosje kanë shkuar për t’u verifikuar në Ministrinë e Brendshme si dhe në Drejtorinë e Burgjeve. Ekspertët nga ana e tyre kanë kërkuar më shumë kujdes prej të dënuarve politikë në plotësimin e formularit. Kjo, pasi një gabim mund të kushtojë dhe një rikthim mbrapsht të procesit. Dy ditë më pare, në selinë e Ministrisë së Drejtësisë është zhvilluar takimi konsultativ. Mësohet se nga ana e të persekutuarve politikë është kërkuar më shumë tolerancë në verifikimin e të dhënave, sidomos në rastet kur janë institucionet ato që nuk lëshojnë dokumentet që kërkohen. Ndërsa është kërkuar dhe një koordinim më i qartë mes institucioneve përsa i përket verifikimit të të dhënave, si dhe për kthimin e përgjigjes së kërkesës së bërë nga të dënuarit politikë. Ndërkohë që ligji parashikon që grupimet joqeveritare të ish-të dënuarve politikë kanë të drejtë të paraqesin pretendime konkrete për çështje të moszbatimit të këtij ligji apo të denoncojnë raste përfitimesh pa të drejtë. Brenda 10 ditëve, ministri i Drejtësisë shqyrton çështjen dhe vë në dijeni grupimin joqeveritar, Këshillin e Ministrave dhe komisionin përgjegjës për çështje të të drejtave të njeriut në Kuvend, për çdo pretendim të paraqitur. Raporti me shkrim i ministrit të Drejtësisë shoqërohet me kopje të dokumentacionit provues.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›