E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama është dorëzuar në gijotinën e Berishës

• Kryetari i LSI-së Ilir Meta, akuzoi Asamblenë Socialiste se ka tradhtuar besimin e elektoratit të majtë.

Aristir Lumezi

Këtë deklaratë Meta e bëri dje në Konventën Kombëtare të LSI-së, ku u zyrtarizua dhe koalicioni i ri i të majtës, "E Majta për Integrim". Meta tha se kryetari socialist Edi Rama është bërë bashkëpunëtor i afërt i Berishës kundër interesave të opozitës. "Për fatin tonë të keq tashmë në krah të 'Doktor Rrumpallës' është vendosur me krenari kryetari i radhës i Partisë Socialiste. Jam thellësisht i tronditur si shumë prej jush, por jo dhe aq shumë i befasuar, që anti-Berisha më i egër i të gjitha kohërave, ka ulur kokën butësisht në gijotinën e kryeministrit, ashtu sikurse jam i çuditur nga ngrefosja e paturpshme, me të cilën ish kryeministra, ish ministra dhe ish kryetarë grupi socialist, dikur lakej të Nanos, Metës si kryeministër dhe tani të Ramës, e shesin këtë tradhti para popullit shqiptar dhe para vetë opozitës. Ashtu sikurse bëri pak ditë më parë aty, ku duken ende gjurmët e Gërdecit, u mblodh Asambleja tradhtare, e cila konfirmoi se do të bëjë reformat e kërkuara me kryeministrin që shkaktoi Gërdecin", tha Meta. Duke folur për paqëndrueshmërinë politike të kryetarit socialist, Edi Rama, Meta tha dje para anëtarëve të Konventës kombëtare, se qëndrimi i tij nuk garanton besueshmëri për të majtën, e cila kërkon sa më parë të kthehet në drejtimin e punëve të vendit. "Për Kryetarin e radhës të PS-së, nuk është problem që një ditë të shfaqesh si antisocialist i tërbuar dhe një ditë tjetër si kryetar i socialisteve; një ditë si militant i tërbuar i PS-së dhe ditën tjetër si qytetar dhe paparti; një ditë të jesh anti-Berisha më i madh, një ditë të përjashtosh 6 deputetë se bashkëpunojnë me Berishën, por vetëm pak muaj më vonë të mburresh se bashkëpunon vetë më të; një ditë ta damkosësh Fatos Nanon si ortak të Berishës dhe politikës së vjetër, por pak muaj më vonë t'ia kalosh edhe atij për dashurinë ndaj 'Doktor Rrumpallës'; një ditë ta damkosësh Berishën si kriminel dhe dy ditë pas krimit t'i rrahësh shpatullat Sali Berishës dhe t'i thotë jemi bashkë", tha Meta.
Koalicioni
Duke folur për koalicionin opozitar, Ilir Meta tha se ai nuk funksionon për shkak të shkatërrimit që vetë Edi Rama i bëri atij. "Koalicioni opozitar është shkatërruar çdo ditë e nga pak nga kreu i PS-së pas rizgjedhjes si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për t'i hapur rrugën, pas largimit të padrejtë të kryeprokurorit, një aleance faktike dhe të përditshme Berisha-Rama, apo ndryshe edhe Bashki-Qeveri, misioni i së cilës është përjetësimi i pushtetit të dy protagonistëve dhe kthimi i gjithë sistemit demokratik dhe qeverisës në vend, në një bunker për të gjithë shqiptarët, ku të mos kenë të drejtë të thonë fjalën e tyre, ku të mos kenë të drejtë të bëjnë zgjedhjen e tyre", tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, partia që ai drejton "denoncoi e para, dy muaj më parë këtë marrëveshje, e cila nuk është vetëm anti-demokratike, por edhe anti-kombëtare". Meta i bëri thirrje anëtarësisë dhe simpatizantëve të majtë që "të mobilizohen shumëfish tashmë, për t'i bërë skemat diabolike të Ramës e  Berishës të pavlera, duhet të mobilizohemi, që të tregojmë se ky vend nuk ka nevojë për lidera, që zgjedhjet i ndajnë në tavolinë, si copat e tokave në Tiranë".
Gërdeci
Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta e cilësoi tragjedinë e Gërdecit një krim shtetëror. "Ne e dimë, sikurse gjithë shqiptarët, se Gërdeci ishte dhe mbetet një krim shtetëror, me kryefajtor Sali Berishën, që transportuan në një zonë të banuar, mijëra e mijëra tonë municion, që të mund t'i kishin sa më afër Rinasit e Portit të Durrësit, që s'pyetën kurrë për jetën e njerëzve që banonin aty", tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, edhe pse përgjegjësia e Berishës për tragjedinë e Gërdecit, është pjesë e marrëveshjes mes tij dhe Ramës, asnjëherë Berisha s'do të mund t'i shpëtojë drejtësisë. "Berisha mund t'i shpëtojë prokurorisë së tij, mund t'i shpëtojë edhe drejtësisë të këtij vendi, mund t'i shpëtojë edhe hetimit dhe gjykimit të asaj pjese të lidershipit të PS-së të cilët që pas heqjes së padrejtë të kryeprokurorit Sollaku, e ka kapur dhe e mban peng, por kurrë nuk mund t'i shpëtojë gjykimit dhe gjyqit të shqiptarëve, që unanimisht e ka deklaruar atë, kryefajtorin e vetëm të Gërdecit dhe tragjedive të tjera, që i ka prodhuar pa fund këtij vendi, sa herë që është ulur në krye të shtetit", tha Meta.
Reforma
Reforma zgjedhore që propozojnë PS dhe PD, sipas Metës injorojnë vullnetin politik të një të tretës së popullsisë siç janë emigrantët, të cilët kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë e vendit. "Pak ditë më parë, si rezultat i marrëveshjes tashmë publike PD-PS është sjellë në Parlament një paketë propozimesh për ndryshime kushtetuese. Përveç propozimeve për sistemin zgjedhor, propozohen edhe një sërë ndryshimesh, që prekin thelbin e institucioneve tona demokratike, që i japin fuqi të madhe Kryeministrit dhe cenojnë mekanizmin e kontrollit e të balancës", tha Meta. Sipas tij, LSI e denoncoi këtë përpjekje dhe është e vendosur të mbrojë kushtetutën nga ky agresion i ri. Berisha ka qenë gjithnjë kundër kësaj kushtetute dhe bëri fushatë kundër saj, e tash kërkon ta ndryshojë atë për qëllimet e pushtetit të tij, jo më duke u ballafaquar me qytetarët e Shqipërisë, por duke gjetur një partner tek lidershipi aktual i PS-së".

Instituti ‘Idea’ risi në politikë

Kreu i LSI-së Ilir Meta, përgëzoi iniciativën më të re të rinisë socialiste për integrim për ngritjen e Institutit të Politikave Rinore 'IDEA'. Dyert e LSI-së janë të hapura për çdo të ri apo të re që ka pasionin dhe dëshirën për të kontribuar për këtë vend; që kërkon të jetë qytetar i Bashkimit Evropian në rininë e tij dhe jo të presë derisa të plaket. Prurjet rinore në anëtarësinë dhe strukturat tona janë të pandalshme", tha Meta. Pak ditë më parë, u promovua krijimi i Institutit të Politikave Rinore 'IDEA'. Ky institut është nisma më e re në shoqërinë shqiptare që ka si qëllim promovimin e politikave pro-rinisë në Shqipëri. Instituti 'Idea', sipas përfaqësuesve të tij, nuk do jetë vetëm një promovues apo katalizator i ideve progresiste në Shqipëri, por do të shërbejë dhe si një promovues i aktivizimit publik, shoqëror dhe politik të rinisë në skenën politike Shqiptare.

Rezoluta e Konventës së LSI

    Konventa përshëndet pavarësinë e Kosovës dhe ftesën e Shqipërisë për në NATO

    Tragjedia e Gërdecit provoi paaftësinë dhe dështimin e maxhorancës

    Kryeministri Berisha të japë dorëheqje si përgjegjësi kryesor i tragjedisë

    Konventa dënon prishjen e njëanshme nga lidershipi i PS, së marrëveshjes së partive opozitare

    Konventa dënon marrëveshjen okulte të lidershipit PD-PS për një reformë zgjedhore të pandershme

    Konventa mbështet iniciativën e re politike të LSI-së për krijimin e koalicionit të gjerë "E Majta për Integrim"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›