E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Skela, nëse vazhdon kështu, ia kalon Tonit”

• Ervin Skela është një nga lojtarët më në formë të kampionatit gjerman dhe në tre ndeshjet e fundit ka shënuar 4 gola.

Jetmir Halilaj

Këtë nuk e mohon as Altin Lala, i cili luan te Hanoveri, por ky i fundit nuk i ka kursyer batutat, duke thënë se të dy bashkë do të ndeshen në ndeshjen e fundit të sezonit dhe me tone humori është shprehur: “Shpresoj që Kotbusi i tij ta ketë siguruar qëndrimin në Bundesligë para se të vijë ajo ndeshje, sepse në të kundërt nuk do të ketë shanse që t’i shënojë Hanoverit tim. Do të merrem personalisht me Ervinin dhe nuk ka ku të shkojë”. Në një intervistë të dhënë për “Panorama”, kapiteni i Kombëtares shqiptare ka folur edhe për situatën e vështirë, në të cilën ndodhet futbolli ynë dhe sidomos përfaqësuesja kuqezi.
Të shtunën keni rënë pre e një gjesti të shëmtuar të lojtarit grek Evangelos Mantzios, i cili në një moment ju ka kapur për fyti, por juve arritët të përmbaheshit.
Gjithçka nisi pas një përplasjeje të fortë nga të dy dhe megjithëse e kishte ai fajin, unë nuk reagova. Pas dy minutash bëri sërish një tjetër ndërhyrje të rëndë dhe në gjermanisht i kërkova të ishte më i kujdesshëm. Ai jo vetëm që nuk e mori parasysh sugjerimin tim, por filloi të më bërtiste në greqisht dhe ma mori mendja se ishte duke më sharë, megjithëse unë nuk kuptoj asnjë fjalë nga gjuha helene. Atëherë ia ktheva reston edhe unë në shqip. S’kuptoja asgjë nga ato që thoshte kështu që vendosa të iki, ndërsa ai më kapi nga fyti. Për këtë ai u ndëshkua me karton të verdhë. Megjithatë ishte thjesht një debat që lindi nga tensioni i ndeshjes, asgjë më shumë.
Sipas medias gjermane ai meritonte karton të kuq, ju si mendoni?
Nëse unë do të kisha simuluar, të jeni të bindur se do të ishte ndëshkuar me të kuq, por unë nuk e kam zakon të simuloj, madje edhe kur kam provuar ta bëj një gjë të tillë, e kam bërë në mënyrë të shëmtuar...(qesh). Lojtarëve me karakteristikat e mia nuk iu shkojnë fare ‘filmat’ në fushën e lojës.
Megjithatë Hanoveri juaj fitoi edhe pse që nga minuta e 60-të luajti me 10 lojtarë.
Kjo është shumë e rëndësishme. Ne na interesonin pikët dhe i morëm ato. Të tjerat pak rëndësi kanë.
Javët e fundit keni spikatur te Hanoveri. Në këtë fazë, kur pjesa dërrmuese e lojtarëve ndjejnë lodhjen e sezonit, ju jeni në formë shumë të mirë, si shpjegohet kjo?
Eshtë e vërtetë dhe unë mendoj se është periudha ajo që më simulon. Mua më pëlqejnë sfidat dhe duke e ditur që në këtë fazë na duhet gjithnjë maksimumi, unë arrij të jap më të mirën në fushë.
Ervin Skela po shkëlqen me Kotbusin, në tre ndeshjet e fundit ka shënuar 4 gola dhe i ka dhënë 9 pikë skuadrës së tij. Cili është komenti juaj për shokun e Kombëtares?
Me këtë ecuri, nëse do të ishte fillimi i sezonit, do ta kishte lënë mbrapa edhe Luka Tonin me gola ...(qesh). Më bëhet shumë qejfi për Ervinin, sepse ka qenë vërtet vendimtar për skuadrën e tij. Me sa mora vesh unë Kotbusi asnjëherë në historinë e tij nuk i kishte realizuar tre fitore radhazi dhe në këtë aspekt Skela ka një meritë të madhe. Ai ka marrë skuadrën për dore në këtë fazë dhe deri tani ia ka dalë shkëlqyeshëm. Megjithatë shpresoj shumë që deri në javën e parafundit të kampionatit, Kotbusi të ketë siguruar qëndrimin në Bundesligë, sepse me kthesën që ka bërë e meriton vërtet që të qëndrojë. 
Përse deri në javën e parafundit?
Sepse javën e fundit do të përballet me ne dhe Ervin Skela nuk do të ketë shanse që t’i shënojë Hanoverit tim. Do të merrem personalisht me të në atë ndeshje dhe nuk ka ku të shkojë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›