E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama, jo socialist

Londër-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka vijuar takimet në Londër, ku ka zhvilluar një bisedë të veçantë me Ministren për Evropën, Caroline Flint. Gjatë një interviste për BBC-në, Meta deklaroi se në gjitha takimet me zyrtarët e lartë britanik, është theksuar realizimi dhe garantimi i standardeve në zgjedhje.

“Ne jemi shumë të shqetësuar se mungon vullneti politik për realizimin e këtyre standardeve. Sepse në rast se do të kishte pasur një vullnet politik, jo vetëm tek Kryeministri Berisha tek i cili gjithnjë kemi dyshuar, por edhe nga Kryetari i Partisë Socialiste zyrtare, z.Rama, Kodi zgjedhor duhet të ishte bërë me kohë, duhet të ishte bërë në transparencë të plotë dhe gjithë këto procese të tjera qofshin edhe kartat e identitetit do të ishin zhvilluar në kohën e duhur. Fakti që ne jemi kaq të shtrënguar tashmë në kohë për të realizuar shumë detyrime, tregon se këto standarde kanë nisur të rrezikohen seriozisht”-theksoi Meta.

Sipas tij, situata parazgjedhore nuk është ajo e dëshirueshmja për një klimë normale demokratike, duke nënvizuar edhe rolin e mediat në këtë drejtim, që sipas kreu të LSI-së, janë të kontrolluara ose nga Bashkia e Tiranës, ose nga qeveria.

Duke folur për marrëveshjet para elektorale, Meta tha se drejtuesit aktual të Partisë Socialiste nuk kanë vullnet për të bashkëpunuar, ashtu siç i quajti vija zyrtare, pasi socialiste të vërtetë, sipas kreut të LSI-së, janë ata, sikurse Petro Koçi, me partinë e të cilit ka nënshkruar tashmë një marrëveshje të tillë.

“Ne besojmë se edhe me socialistët që ende janë në PS-në zyrtare, do të bëjmë një marrëveshje pas zgjedhjeve, pasi kuptohet që kreu aktual i PS-së zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar dhe kanë qenë përgjegjësit kryesorë të degradimit të Kodit Zgjedhor, dhe të situatës që u krijua me grevën e urisë”-tha më tej Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›