E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama nuk mund ta zgjerojë krizën e vet

Qeveritarët e LSI-së, inaugurime në Fier

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka qenë dje për një vizitë në Komunën Topojë të Rrethit të Fierit . I shoqëruar edhe nga dy ministrat, ai i Ekonomisë Dritan Prifti dhe i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ai është pritur nga banorë dhe drejtues të kësaj komune, ku është bërë inaugurimi i katër ambulancave në fshatin Sheq Marinas dhe Grykë. Duke përfituar nga rasti, kryetari i Komunës Topojë, Sotir Zarka, në fjalën e rastit të përshëndetjes i është ankuar zëvendëskryeministrit Ilir Meta për rreth 30 projekte që sipas tij kanë mbetur pa financim. Janë projekte ku përfshihen rrugë, studime urbane, kopshte, ambulanca e të tjera, të cilat kanë kohë që u janë dorëzuar ministrive përkatëse. Meta nga ana e tij ka falënderuar punën e kësaj komune dhe të vetë kryetarit të saj dhe ka premtuar se do të japë kontributin e tij që këto projekte të vihen në zbatim duke u financuar. Lidhur me investimin e ambulancave në këtë komunë ai ka falënderuar qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila nëpërmjet fondacionit të Gjysmë Hënëzës së Kuqe ka bërë investime tepër të rëndësishme për këtë komunitet. Me interes ka qenë konstatimi i numrit dy të qeverisë, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për sa i përket situatës ekonomike në vend. “Situata ekonomike në vendin tonë nuk është më e mira që ne do të donim të ishte, sepse gjithë bota është në krizë dhe ju vetë po e shikoni”, ka thënë ai. Një vlerësim pak më realist ky, sesa ai i Kryeministrit Berisha, që edhe së fundmi ka folur për “mrekullinë shqiptare”. Kriza mesa duket për kabinetin qeverisës qëndron te sjellja e opozitës, për kreun e së cilës Meta ka bërë një koment të radhës. “Ne jemi gati t’i afrojmë të gjithë asistencën liderit të opozitës, në mënyrë që ai të dalë nga kjo gjendje krejtësisht e panevojshme ku ndodhet dhe ku ka futur opozitën. Por natyrisht ai nuk mund ta fusë vendin në krizë dhe as këtë komunitet të mrekullueshëm që ka nevojë për investime dhe sigurisht edhe zgjedhje më të mira dhe rruga më e mirë është kodi i ri elektoral, është reforma e re zgjedhore, ashtu sikundër kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët”, u shpreh zv.kryeministri Ilir Meta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›