Meta: Rama të lërë mënjanë ultimatumet
TIRANE-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta i bëri thirrje opozitës dhe kreut të PS-së të lërë “ultimatumet e së shkuarës” dhe të kthehet në parlament. Gjatë fjalës në Komitetin Drejtues të Lëvizjes Rinore për Integrim, Meta e cilësoi vitin 2010 si vitin e liberalizimit të vizave dhe 2009-ën, si vitin e NATO-s. Ndaj edhe kërkoi nga të gjitha forcat politike, edhe në cilësinë e zv/kryeministrit, që të marrin përgjegjësitë konkretet brenda institucioneve. “Angazhimi i të gjithë neve në qeveri dhe jashtë qeverisë, i gjithë forcave politike edhe i forumeve rinore sikurse është Lëvizja Rinore për Integrim, i shoqërisë civile, i grupeve të interesit, duhet të jetë në radhë të parë plotësimi i detyrimeve tona me përgjegjësitë që kërkon ky moment i ri ndaj vendit”, - u shpreh Meta. “Ashtu sikurse, - tha ai më tej, - çdo vetëpërjashtim i kujtdo nga ky moment shumë i rëndësishëm ku kërkohet kontributi i të gjithëve, është tregues i një përgjegjësie dhe detyrimi të parealizuar ndaj vendit, ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj të ardhmes së tyre nga cilido”. “Në radhë të parë realizimi i këtyre përgjegjësive bëhet në parlament, bëhet përmes dialogut dhe jo ultimatumeve të cilat i takojnë së shkuarës”, - deklaroi Meta. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, “realizimi i këtyre përgjegjësive bëhet në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë që kërkojnë avancimin e procesit të integrimit europian, sepse të gjithë e dimë që gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh politike kanë një aspiratë të përbashkët ende të parealizuar plotësisht, që është integrimi i Shqipërisë në Evropë, ashtu sikurse është edhe lëvizja e lirë drejt Europës. LSI-ja, - vijoi më tej Meta, - duke ndjerë me përgjegjësi maksimale këtë moment të rëndësishëm ku ndodhet vendi, është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj dhe përfaqësuesit e saj pikërisht për t’u investuar tërësisht për suksesin e këtij procesi historik për vendin dhe qytetarët shqiptarë”. “Ne, ashtu sikurse kemi bërë deri tani, do vazhdojmë të ofrojmë dhe t’u qëndrojmë atyre vlerave të rëndësishme dhe tepër të domosdoshme për europianizimin e mëtejshëm të vendit, politikës dhe të shoqërisë shqiptare, ashtu sikurse treguam se për herë të parë në historinë e pluralizmit politik bëmë një koalicion, i cili u bazua pikërisht mbi integrimin e prioriteteve tona qeverisëse”, - deklaroi Meta. Sipas tij, LSI-ja tregoi “dhe po tregon çdo ditë se është forcë e re politike me një angazhim të përhershëm për të mbyllur hendekun dhe konfliktualitetin politik, për të sjellë një etikë të re në diskursin politik në vend, sepse është dhe një kontribut për modelin që politika ka për detyrë t’i paraqesë rinisë”.(d.b/GSH/BalkanWeb)