Tirana fiton në Krujë, vendos talenti Hajdari
TIRANA- Tirana ka fituar 1-0 në Krujë kundër Kastriotit, në ndeshjen kryesore të javës së 17-të zhvilluar ditën e mërkurë. Bardheblutë i janë falur një goli të shënuar nga sulmuesi 19 vjeçar Blerti Hajdari në minutën e 67-të, duke marrë 3 pikë që u japin atyre vendin e dytë përkohësisht. Tirana nuk e ka patur aspak të lehtë ndaj krutanëve, të cilët e kanë mbyllur takimin me 10 vetë pasi Gocaj doli me karton të kuq në minutën e 87-të. Ndërkohë, kanë përfunduar në barazim 2 takimet e tjera të luajtura sot. Në Shkodër, sfida mes Vllaznisë dhe Flamurtarit ka dhuruar 90 minuta spektakolare, por në fund rezultati ka shënuar 2-2. Ekipi i Roland Luçit u mendua se do të merrte 3 pikët e radhës ndaj një kundërshtari me shumë probleme. Një ide e tillë u përforcua në minutën e 57-të, kur kosovari Ilir Nallbani arriti të realizojë golin e avantazhit për shkodranët. Por, miqtë nga Vlora janë kundërpërgjigjur shumë shpejt, duke shënuar dy herë me Hair Zeqirin në harkun e 20 minutave. Një dopietë që mund të shënonte kthesën për Flamurtarin, por në fund ishte talenti Bekim Bala ai që i mohoi festën skuadrës së Gugash Maganit. Në takimin tjetër, atë të zhvilluar në “Loni Papuçiu” të Fierit, Apolonia bëri ndalesën e radhës, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut. Apolonia gjeti rrugën e avantazhit në fundin e pjesës së parë me autor Sehad Haxhibuliç. Por, vetëm 13 minuta nga nisja e fraksionit të dytë të lojës Skënderbeu ka barazuar me kapitenin e tij, Bledi Shkëmbin. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)