Qyteti meksikan prodhon çdo vit 100 milion zbukurime
MEKSIKE- Qyteti meksikan Tlalpujahua prodhon çdo vit 100 milion zbukurime Krishtlindjesh, shumica e të cilave eksportohen në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada duke siguruar të ardhura të konsiderueshme pavarësisht krizës financiare botërore. Industriay e Krishtlindjeve në Tlalpujahua siguroi mëse 15 milion dollarë nga produktet e saj gjatë këtij viti, pavarësisht konkurencës së ashpër nga produktet kineze shumë herë më të lirë. Ky qytet, i cili dikur lulëzonte falë minierave të arit dhe argjendit, u përball me situata të vështira pas mbylljes së tyre, derisa në vitet ’60 një artizan vendas ngriti fabrikën e parë të zbukurimeve të Krishtlindjeve. Sot në këtë industri punojnë mëse 3,000 - 4,000 vendas. Carlos Garcia, një artizan që punon në një prej fabrikave të shumta në vend, tha se ishte krenar për këtë gjë. "Prodhimet tona eksportohen nëpër botë ndaj unë ndjehem shumë krenar për këtë gjë. Po kështu edhe kolegët e mi. Jemi të lumtur që e bëjmë këtë gjë". Gjatë procesit të prodhimit burrat realizojnë sferat e Krishtlindjeve duke i fryrë qelqit ndërsa gratë bëjnë zbukurimet e jashtme. Megjithatë artizania Veronika Bolanos ishte prekur nga kriza ekonomike botërore. "Ky vit ka shënuar një ulje të ndjeshme të të ardhurave tona. Njëkohësisht është ulur edhe numri i punonjësve" tha ajo. (e.n/S.Topi/BalkanWeb)