Meta, Ramës: Larg duart nga dhuna dhe ultimatumet
Ministri i Jashtëm, njëkohësisht dhe kryetar i LSI-së, z. Ilir Meta, i bëri dje thirrje PS-së dhe kryesocialistit Edi Rama që të tërhiqet nga ultimatumet dhe kërcënimet se mund të marrë shtetin me dhunë. Z. Meta i sugjeroi z. Rama që të rilexojë rezultatin e certifikuar edhe ndërkombëtarisht të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai e cilësoi të paarsyeshëm dhe gjithashtu kërcënues ultimatumin 10-ditor të PS-së. Sipas ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, shteti nuk merret me ultimatume dhe dhunë. “Institucionet funksionojnë normalisht, por është opozita që nuk po funksionon normalisht. Ultimatumi i PS-së drejtuar Berishës për hapjen e kutive është krejtësisht jashtë çdo logjike demokratike, qytetare dhe çdo mendësie evropiane. Një ultimatum u dha përpara që në datën 20 nëntor do të bëhej nami, ndërsa ju sot e shikoni apo jo, që jemi këtu me ju me të gjitha mediat”, - theksoi z. Meta. Kundrejt kësaj, kreu i LSI-së ftoi sërish lidershipin e PS-së që të heqë dorë nga politika e dështuar e nxitjes së tensioneve, të rrëmujave, të ultimatumeve të pa vlera, pasi Shqipëria është një vend tërësisht demokratik, është një vend që ka Kushtetutën e saj, është një vend që është anëtar i NATO-s, është një vend që po përgatitet tashmë për të hyrë në një fazë të re të anëtarësimit në BE”. “Të gjithë e dinë që kutitë e zgjedhjeve i bëri vetë Edi Rama. Edhe numërimin, edhe firmosjen, edhe vulosjen, pra ishte vetë Rama me 20 mijë komisionerët e tij në të gjithë Shqipërinë që i bëri. Kjo është një histori e mbyllur. Ndërsa alibia e kutive për të justifikuar marrjen e pushtetit me forcë, absolutisht jo vetëm që është e dështuar, jo vetëm që po kthehet në një gjë qesharake, por është edhe e turpshme, sepse nuk ka qenë në traditën e PS-së dhe këtu ndiej dhimbje të thellë, kjo formë rruge dhe ky frymëzim antishtet dhe antiinstitucion. Këto janë frymëzime antievropiane”, - tha më tej Meta. Ndërkohë që pyetjes së gazetarëve a ka ndonjë lloj mundësie paraprake për të negociuar me lidershipin e PS-së dhe ta sjellë atë në Parlament, Meta iu përgjigj se qeveria ka qenë dhe është e hapur vazhdimisht, por ultimatumi nuk mund të quhet dialog. “Ultimatumi është ultimatum, vihet data dhe më pas konsiderohet i skaduar. Dialogu do të thotë që të shqyrtohet çdo kërkesë e ligjshme, ndërkohë që kërkesa për hapjen e kutive është e paligjshme, është antikushtetuese dhe këta zotërinj, jo se kanë hallin e kutive, sepse vetë i kanë numëruar dhe certifikuar ato, por duan një alibi për rrëmuja në këtë vend, kur qytetarët duan qetësi dhe normalitet”, - theksoi kreu i LSI-së.