E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Viti 2014, targeti i integrimit të Shqipërisë



Duke marrë shkas nga nisma e Kryeministrit grek Papandreu për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, Shqipëria është optimiste për targetin e caktuar, atë të vitit 2014. Për ministrin tonë të Jashtëm, Ilir Meta, natyrisht kjo është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Zv.kryeministri dhe ministri të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë dje në promovimin e librit “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” të z. Shaban Murati. Ministri Meta vuri në dukje: “Në rast se do të kemi një angazhim më të madh të vendeve tona dhe një inkurajim më të madh edhe nga BE-ja për të përcaktuar një axhendë shumë konkrete për të arritur anëtarësimin. Ne kemi arritur një përvojë shumë të mrekullueshme në procesin e liberalizimit të vizave, një ide kjo e hedhur në samitin e Selanikut shumë pak kohë më parë dhe që tani po bëhet realitet. Me heqjen e vizave për tri vende të Ballkanit Perëndimor, pa dyshim që edhe Shqipëria, me progresin e jashtëzakonshëm që ka arritur kohët e fundit, do ta fitojë këtë të drejtë shumë shpejt dhe të njëjtën gjë shpresojmë edhe për Kosovën”. Meta vlerësoi z. Murati për përvojën që ka hedhur në libër dhe të inkurajojë gjithë diplomatët e tjerë që të japin një kontribut për të jetësuar këtë progres të jashtëzakonshëm që ka pasur Shqipëria, që në këto 20 vjet ka pasur një transformim historik. “Pavarësisht traumave dhe problemeve të këtyre 20 vjetëve të fundit, Shqipëria po kapërcen një prapambetje historike. Tashmë jemi në NATO, brenda vitit që vjen do realizojmë ëndrrën e madhe të qytetarëve shqiptarë të liberalizimit të vizave, si një rënie të dytë të Murit të Berlinit, dhe shpresojmë që të jemi edhe anëtarë të Bashkimit Evropian shumë shpejt. Kjo dëshmon transformimin e jashtëzakonshëm të Ballkanit Perëndimor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›