Meta: Raporti i Komisionit Evropian, baza e punës për Ministrinë e Ekononisë gjatë 2011-ës

Zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta, në një komunikim me median u shpreh sot se,- Raporti i Komisionit Europian do të jetë baza e punës që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të ndjekë për vitin 2011. Gjatë një mbledhje, me drejtues të Ministrisë, z. Meta ka vlerësuar shumë pozitive punën e bërë nga kjo ministri në kuadër të përgjigjeve të kërkuara nga Progres Raporti i KE-së. Por njëkohësisht Zv. Kryeministri Meta, theksoi se mbetet ende shumë për të bërë për plotësimin e shumë detyrimeve të tjera të rëndësishme të vendit tonë për lëvizjen e lirë të Mallrave, çka bën të nevojshme transpozimin e direktivave të tjera të ngritjes së institucioneve të mbikëqyrjes së tregut, dhe të harmonizimit të mëtejshëm të gjithë legjislacionit tonë dhe kuadrit rregullator në atë Europian .
Fjala e plotë e zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta
Rekomandimet dhe vlerësimet e këtij Progres Raporti i cili është dokumenti më serioz më profesional dhe më analitik i përpjekjeve tona në rrugën e Integrimit Europian, ndaj ky Progres Raport do të shërbejë si programues i punës së gjithë Ministrisë dhe Institucioneve në Varësi të saj sipas një axhende të mirëpërcaktuar dhe sipas indikatorëve të progresit të cilat tashmë janë formatuar në një matricë e cila është në dijeninë e të gjithë juve. Me këtë rast do të doja të nënvizoja disa konsiderata për Kapitujt e veçantë që janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke nisur me kapitullin e parë për Lëvizjen e Lirë të Mallrave ku Progres Raporti ka vlerësuar mjaft pozitivisht përpjekjet që ka bërë Shqipëria për transpozimin e kuadrit rregullator si për shembull për Akreditimin, Metrologjinë dhe Standardizimin, si dhe Ligjin Horizontal 9779 “Për sigurinë e përgjithshëm te produkteve”. Duke ju përgëzuar për faktin, që deri tani janë adoptuar gati 92% e standardeve Europiane. Por njëkohësisht theksohet se mbetet ende shumë për të bërë për plotësimin e shumë detyrimeve të tjera të rëndësishme të vendit tonë për lëvizjen e lirë të Mallrave, çka bën të nevojshme transpozimin e direktivave të tjera të ngritjes së institucioneve të mbikëqyrjes së tregut, dhe të harmonizimit të mëtejshëm të gjithë legjislacionit tonë dhe kuadrit rregullator në atë Europian . Lidhur me Kapitullin e 3-të së Drejtës së Vendosjes dhe Lirisë për të ofruar Shërbime që përfaqëson një nga katër të drejtat themelore të përcaktuara në dokumentat e themelimit te Bashkimit Europian, vendi ynë vlerësohet për moszbatimin e asnjë dispozite diskriminuese përsa i takon regjistrimit të biznesit dhe vlerësohet pozitivisht për trajtimin e barabartë të kompanive Evropiane me atyre vendase në këtë drejtim, por njëkohësisht përsa i takon lirisë për të ofruar shërbime dhe në mënyrë te veçantë transpozimit dhe zbatimit te Direktivës së Shërbimeve, megjithëse kjo e drejtë nuk është akoma një detyrim për vendin tonë, theksohet nevoja për përgatitje paraprake në këtë fushë pasi legjislacioni shqiptar ende nuk është akoma i përafruar me atë Europian. Opinioni vlerëson të gjitha arritjet në fushën e shërbimit postar dhe nënvizon se përafrimi i plotë dhe zbatimi i Legjislacionit Europian në këtë fushë mund të realizohet lehtësisht nga vendi ynë. Më shumë përpjekje kërkohen në drejtim të njohjes reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale për të përafruar legjislacionin tonë me atë Europian. Lidhur me Kapitullin për të Drejtën e Shoqërive Tregtare, Komisioni vlerëson mjaft arritjet në përafrimin e plotë të pjesës më të madhe të legjislacionit tregtar e veçanërisht të ligjit “Mbi Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” dhe “Marrjen nën kontroll të Shoqërive Publike” por gjithashtu kërkon që të vazhdohet me transpozimin e direktivave të rëndësishme në legjislacionin tonë e veçanërisht me Direktivën për Bashkimin e Shoqërive Ndërkufitare me përgjegjësi të kufizuar. Lidhur me Kapitullin 7 për të Drejtat e Pronësisë Industriale, vlerësohet miratimi i ligjit bazë për pronësinë industriale si dhe aderimi i Shqipërisë në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Vlerësohet gjithashtu miratimi i strategjisë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, si një hap i parë i suksesshëm për ngritjen e sistemit, por kërkohet më shumë vëmendje për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve tona për zbatueshmërinë e ligjit, për inspektimin e pronësisë intelektuale si dhe miratimi sa më parë i “Ligjit për Të Drejtat e Autorit”. Lidhur me Kapitullin e 15-të për Energjinë. Vlerësohet progresi thelbësor i bërë në vitet e fundit në transpozimin e legjislacionit dhe ngritjen e institucioneve, por edhe në reformën e Tregut të Brendshëm të Energjisë, si dhe në përafrimin e legjislacionit Hidrokarbur dhe atij Minerar. Komisioni Europian vëren dhe e cilëson si shumë pozitive këtë progres, por është e nevojshme të mbarojë përditësimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë, të miratohet sa më parë dhe paketa e Plotë me Ligjet për Sektorin Elektrik, Ligjin për Energjinë e Rinovueshme dhe Ligjin për Efiçencën e Energjisë. Gjithashtu duhet të plotësohet me kuadër nënligjor legjislacioni i plotë për Hidrokarburet. Lidhur me Kapitullin e 20-të për Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale, vlerësohen reformat e gjëra rregullatore në ndihmë të klimës së biznesit, pasja e një strategjie të veçantë për biznesin dhe për investimet, por nga ana tjetër kërkohet politika të veçanta dhe specifike për klasterat, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e lehtësimit të mëtejshëm të aksesit të SME-së në financë, si dhe transpozimi i direktivës për pagesat e vonuara. Lidhur me Kapitullin e 28-të për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetin Publik, vlerësohet progresi i spikatur i vendit në vitet e fundit, si dhe hapat e bëra për të ngritur institucionet në dobi të mbrojtjes së konsumatorit. Kuadri ynë legjislativ është tashmë i plotësuar në konceptet thelbësore, por ka ende nevojë të përditësohet dhe plotësohet. Po kështu kërkohet rritja e rolit të pavarur të Komisionit të Konsumatorëve si dhe rritja e kapaciteteve të strukturave të Ministrisë së Ekonomisë, dhe Tregtisë në këtë drejtim. Lidhur me Kapitullin e 30-të për Marrëdhëniet me Jashtë, Shqipëria vlerësohet për arritjet e saj të spikatura në fushën e politikës tregtare dhe nënvizohet që për ne nuk do të ketë asnjë vështirësi në drejtim të zbatimit të politikës së përbashkët tregtare apo rinegocimit në Organizatën Botërore të Tregtisë për disa sektorë sensitivë për Bashkimin Europian pas anëtarësimit tonë. Raporti thekson nevojën për të forcuar kapacitetet institucionale dhe rritur aftësitë për pjesëmarrje në proceset vendim-marrëse të Bashkimit Europian në drejtim të politikave të zhvillimit dhe të ndihmës së huaj. Duhet punuar në drejtim të përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit në lidhje kryesisht me harmonizimin e vazhdueshëm të listave të materialeve me përdorim të dyfishtë. Theks i veçantë i vihet forcimit të kapaciteteve administrative për politikën tregtare për të garantuar ndjekjen e politikës së përbashkët Tregtare të Bashkimit Europian . Pra këto ishin pak a shumë vlerësimet por edhe për punën e bërë deri tani por edhe vlerësimet për prioritetet për të ardhmen bazuar në Progres Raportin sipas të 8-të Kapitujve ku Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është e përfshirë . Natyrisht ju kam falënderuar dhe më parë për punën e madhe voluminoze që është bërë nga të gjithë ju dhe stafet tuaja për t’iu përgjigjur rreth 500 pyetjeve në pyetësorin e paraqitur nga ana e Komisionit Europian. Por duke qenë se Progres Raporti sikurse e theksova dhe më parë është dokumenti më i rëndësishëm profesional dhe analitik i punës tonë dhe i të gjitha indikatorëve që shprehin përafrimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Europian natyrisht që ky do të jetë dhe baza kryesore e punës për këtë vit, natyrisht duke patur në konsideratë edhe angazhimet e tjera në kuadër të programit të Qeverisë, por këto janë në një sintoni të plotë dhe i shërbejnë njëra tjetrës. Po do të doja Z. Bozdo si Zëvendësministër i cili mbulon në mënyrë të veçantë edhe ndjekjen e angazhimeve për përmbushjen e detyrimeve për Integrimin Europian të na japë disa konsiderata, tashmë dhe matrica është e përgatitur që do të jetë dokumenti i punës për të gjitha Drejtoritë dhe Institucionet tona.
...