Shtilike e Xhixhi Kanji kërkojnë Shqipërinë
• Xhixhi Kanji, Ari Haan dhe Uli Shtilike janë tre emrat më të fundit që i janë shtuar listës së gjatë të trajnerëve të huaj që pretendojnë stolin e përfaqësueses shqiptare. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilat kanë thënë gjithashtu, se presidenti Armand Duka është i joshur nga emri dhe fama e tre teknikëve dhe është i gatshëm të hyjë në bisedime me ta. Një fakt mbetet gjithsesi i qartë: i favorizuar nga kandidatët është ai që kërkon më pak para, një kusht ky që megjithëse nuk është pohuar publikisht nga Duka, mbetet thuajse kriteri kryesor për të gjithë trajnerët e njohur. Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e fundit i ka kërkuar presidentit të FSHF-së që të zgjidhë sa më shpejt çështjen e trajnerit dhe Federata vazhdon të përsëritë se brenda muajit dhjetor do të jetë gjetur pasardhësi i Bariçit.