Meta, Sequi: Gjithëpërfshirje dhe reforma për integrimin
Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi është takuar sot me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Në një prononcim të përbashkët për shtyp, kreu i LSI-së Ilir Meta ka garantuar angazhim të plotë për plotësimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe integrimin në Bashkimin Europian. Meta ka deklaruar se në këtë proces do të ketë gjithëpërfshirje duke shtuar se do të punohet shumë për të çuar përpara vendin. “Ishte kënaqësi për të takuar ambasadorin Sequi dhe për të ndarë vlerësimet për zgjedhjet e 23 qershorit. Me këtë rast shpreha falënderimet për angazhimin e tij të Bashkimit Europian, Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian i cili ishte mjaft aktiv për monitorimin e zgjedhjeve, ishin moment kyç për të ardhmen e statusit të vendit kandidat. Falë shpirtit europian të qytetarëve këto zgjedhje dhanë një mesazh të qartë për të ecur më shpejt prandaj dhe e garantova ambasadorin Sequi se do të punojmë më ngushtë për të çuar përpara disa reforma që përshpejtojnë marrjen e statusit të vendit kandidat. Pak javë më parë arritëm me konsensus gjatë fushatës të miratojmë 3 ligjet, edhe pse me vonesë. Tani është e gjitha mundësia për të krijuar një klimë me themele të qëndrueshme dhe aftagjata të bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirës mes mazhorancës së re dhe opozitës së re. Është mundësia e përfshirjes së shumë faktorëve të tjerë; shoqërisë civile, grupet e interesit, qarqet akademike, që këto reforma të fitojnë një kontekst të ri” tha Meta. Ndërkohë ambasadori i BE-së Sequi ka vlerësuar gatishmërinë e kreut të LSI-së për gjithëpërfshirje. “Erdha për ta uruar zotin Meta për fitoren e madhe por edhe për ta falenderuar për rolin e tij për integrimin në Bashkimin Europian. Është e vështirë të mos bie dakord me fjalët e tij sepse kjo është pikërisht ajo që ne presim nga Shqipëria në mënyrë që të ecet përpara në rrugën e integrimit në BE. Pas zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të mirë drejt pushtetit, që të përqendrohet puna te axhenda e reformave të nevojshme për Shqipërinë. Mbeta i kënaqur nga përdorimi i fjalës, gjithëpërfshirje që është kyçe, sepse procesi i integrimi është proces që përfshin të gjithë vendin. Të gjitha mundësitë janë për vendin që të merret statusi i vendit kandidat. Ne kemi besim që kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri”- tha ambasadori. I pyetur mbi faktin se mazhoranca tani mund të miratojë çdo ligj pa ia pasur nevojën opozitës, Sequi u përgjigj: “Unë besoj që përvoja dhe vizioni i zotit Meta nuk kanë nevojë për këshilla. Edhe në fakt fjalën gjithëpërfshirje të dy e kemi përmendur në të kaluarën. Nuk shoh arsye që kjo fjalë mos jetë po aq kyç dhe në të ardhmen”. Ndërsa kreu i LSI, Ilir Meta theksoi se pavarësisht nga mazhoranca prej 84 votash, për çështje të rëndësishme dhe kruçiale, nuk do mjaftonte një votim i bazuar mbi numrat, por një konsensus sa më i gjerë edhe me opozitën. “Ky do të jetë vullneti ynë në të ardhmen. Kjo do të jetë filozofia jonë dhe presim një filozofi të re dhe nga opozita e re për të ardhmen”- shtoi Meta.
...