Meta: Serbia, politikë më realiste ndaj Kosovës
PRISHTINË- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ftuar vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, që të bashkëpunojnë për një perspektivë të qartë evropiane.
"Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë të qartë evropiane", ka thënë sot në Prishtinë, Ilir Meta.
Shefi i diplomacisë shqiptare, gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Prishtinë, është pritur nga presidenti, kryeministri, si dhe udhëheqës të tjerë të lartë të Kosovës dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare.
Meta ka thënë se Bashkimi Evropian, me raportin e fundit për Kosovën, ka treguar qartë se edhe Kosova do ta ketë vendin e vet meritor në familjen evropiane dhe ka inkurajuar institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me plotësimin e kritereve të parapara për këto integrime.
"Kosova dhe institucionet e saj janë në një moment shumë të rëndësishëm për të përballuar dhe një perspektivë të re evropiane gjithnjë e më të qartë që po i ofrohet dhe do t'i ofrohet Kosovës. Ka një angazhim konkret, së fundmi, në mënyrë që edhe Kosova të ketë udhërrëfyesin e saj për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian", ka theksuar Meta.
Meta është angazhuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në rajon, duke i bërë ftesë edhe Serbisë që të reflektojë pozitivisht ndaj realitetit të ri në Kosovë.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë me Serbinë, me qeverinë demokratike atje, me presidentin Tadiç dhe besojmë që edhe Serbia do të kontribuojë në të ardhmen për një politikë sa më realiste ndaj Kosovës", është shprehur Meta.
Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu ka falënderuar shtetin shqiptar për angazhimin diplomatik në favor të njohjeve të reja për Kosovën.
Sejdiu ka theksuar se diplomacia shqiptare po luan rol të rëndësishëm dhe në proceset e përfshirjes së Kosovës në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.
"Falënderojmë Republikën e Shqipërisë për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë, jep dhe do t'i japë Kosovës, dhe ministrin e Jashtëm në shtimin e njohjeve. Ka 63 vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës, por do të kemi dhe urojmë të kemi mbështetje të mëtejshme dhe shtim numrash."
"Janë procese të mëdha ato që i kemi bërë me anëtarësimin në Bankën Botërore, në FMN dhe aspekte tjera që janë të interesit të veçantë të integrimeve rajonale", ka deklaruar Sejdiu.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, duke përmendur dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe, tashmë të nënshkruara me kryeministrin Sali Berisha.
"Do të vazhdojmë me gjithë përgjegjësinë tonë shtetërore që bashkëpunimi mes dy qeverive tona të thellohet edhe më tepër dhe marrëveshjet që i kemi nënshkruar së bashku me kryeministrin Berisha, të vazhdojnë të implementohen në të gjithë sektorët", ka theksuar Thaçi.
Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri, përkatësisht ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi, si shprehje e thellimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe në funksion të proceseve integruese. (rel)