Meta: Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në BE

Shqipëria i ka plotësuar kriteret dhe do të ishte padrejtësi e madhe mosmarrja e statusit të vendit kandidat në fund të vitit. Kështu ka deklaruar kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim në një intervistë për Zërin e Amerikës, në kuadër të vizitës së tij në SHBA. Meta ka shtuar se duhet një vullnet i madh politik për të përshpejtuar punën në përbylljen e reformave, ndërsa është shprehur i vendosur për të këmbëngulur në garantimin e barazisë së votës për cdo qytetar shqiptar.
“Do të ishte padrejtësi që Shqipëria të mos merrte statusin në fund të vitit, sa i përket ekonomisë i ka përmbushur kriteret, edhe në legjislacion ka bërë punë të vlerësuar, lidhur me dialogun politik lë për të dëshiruar, pasi jemi 2 vite me vonesë por është bërë shumë përpara. Reforma zgjedhore nuk është cështje e dy partive të mëdha, është e qytetarëve shqiptarë së pari, ne mbetemi të vendosur për të respektuar barazinë e votes. Kemi bërë disa propozime, shpresojmë që procesi të ecë përpara me shpejtësi, është në funksion edhe të integrimit, edhe zgjedhjet nuk janë larg”-tha Meta.
Si pjesë e koalicionit qeverisës ka shprehur vendosmërinë e shtetit shqiptar në luftën kundër korrupsionit, ndërsa ka theksuar se prioritet për të mbetet procesi i integrimit të vendit dhe jo rimarrja e një posti në kabinet.
Ndërsa duke ju referuar vendimit të Gjykatës për pafajësinë e tij lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti, ai e cilësoi një vendim të drejtë për ti dhënë fund lojës politike në dëm të personit të tij. Ndërsa akuzat për një marrëveshje të heshtur Meta-Prifti posproces, kreu i LSI thekson se nuk ka hapur luftë dhe as armëpushim me asnjë, duke e lënë cështjen në kompetencën e plotë të drejtësisë.
“Gjykata i konsideroi si veprime të paligjshme ndërsa sa i takon aspektit moral ishte fakt i kryer që para fillimit të procesit me rezultatet e zgjedhjeve që LSI mori më 8 maj, ku patëm një rritje me 50 % të votave. Nuk kam shpallur as luftë as armëpushim me asnjë person. Nuk kam ndërmend të merem me cështje që janë përgjegjësi e drejtësisë” theksoi Meta.