Tahiri: Kriza ka vetëm një emër, Sali Berishën
Partia Socialiste i ka bërë thirrje dje Presidentit të Republikës që të mos gjunjëzohet para presioneve të orkestruara nga shumica e Sali Berishës. Nënkryetari i grupit parlamentar të saj, Sajmir Tahiri, duke folur për sulmet e fundit të Partisë Demokratike ndaj kreut të shtetit lidhur me dekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ka vlerësuar se situata në fjalë dëshmon për krizën e plotë institucionale në vend. “Dje, në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen e publikut nga kriza e vërtetë e transparencës së munguar mbi zgjedhjet e vjedhura e mbi ekonominë kapur nga e njëjta familje në pushtet, sidomos pas daljes me turp nga beteja antikombëtare për uzurpimin e shërbimit sekret, Sali Berisha ka hapur një krizë të re me Presidentin e Republikës... të cilit i bëjmë thirrje të mos bjerë pre e shantazhit të Sali Berishës dhe të mos e tolerojë më tutje praktikën e gjuetisë së shtrigave ndaj kandidaturave që nominon për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë”, tha Tahiri. Ky prononcim e integron selinë rozë në debatin, që ka rrëshqitur drejt konfliktit, mes qeverisë dhe Presidentit. Edhe pse ajo nuk duket se do të bëhet protagoniste në procesin e kandidaturave për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, sërish opozita heton te fërkimet e tanishme, një mundësi prononcimi që legjitimon edhe raportin e saj konfliktual me shumicën e drejtuar nga Sali Berisha. “Janë në krizë edhe institucionet kushtetuese, i gjithë sistemi gjyqësor dhe po për të njëjtat shkaqe e për faj të të njëjtit njeri, Sali Berishës, i cili edhe procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë e ktheu në një proces abuziv, duke shkelur Kushtetutën e marrë peng drejtësinë”, vijoi më tej Tahiri, i cili kontekstin e ndezur Berisha-Topi e ka përkufizuar si përgjegjësi direkte të të parit. Me përgjegjësi të këtilla, që evidentohen nga ngjarjet e fundit, Kryeministri shënjohet nga opozita si politikani që mbjell krizë në vend, çka për pasojë e bën ndër të tjera qëndrimin e PS-së në raport me zgjedhjet dhe gjithçka tjetër një vijë logjike reagimi ndaj akteve të Berishës.
#