PS, Kodheli: Banka po plotëson kërkesat e qeverisë
Qeveria anekson plotësisht Bankën e Shqipërisë. Akuzat e para të Partisë Socialiste për institucionin e drejtuar nga Ardian Fullani janë kthyer në bindje për rreshtimin politik të tij. Në këtë frymë e ka përkufizuar nënkryetarja socialiste e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, edhe masën e fundit të BSH-së, për uljen e normës së interesit. “Dje, guvernatori i Bankës së Shqipërisë plotësoi kërkesën e radhës së qeverisë, duke ulur normën e interesit në një përpjekje të dëshpëruar për të ndihmuar pushtetin e Sali Berishës. Ky vendim tregon se jo vetëm vendi është në një krizë të rëndë ekonomike, po se kjo është pranuar me fakte dhe pse jo me fjalë, nga ky pushtet që vodhi zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë”, tha Kodheli. Ajo ka vijuar më tej me renditjen e disa faktorëve që e bëjnë aktin e firmosur nga Fullani vetëm një manovër politike. “Ulja e normës së interesit që lajmëroi guvernatori është jo vetëm shumë e vonuar, por nuk ka asnjë gjasë të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike. Kriza e ka vënë poshtë vendin dhe e ka lënë prapa qeverinë, e cila nuk e ndjek dot ritmin e përshpejtuar të krizës, sepse kërkon ta fshehë atë ndërkohë që vetëm grabit e dëmton për interesat e oborrit të pushtetit”, tha deputetja socialiste.
#