Qeveria nis hakmarrjen ndaj Presidentit
Pas deputetëve të mazhorancës, edhe qeveria nis hakmarrjen ndaj Presidentit Bamir Topi. Presidenti është spostuar nga pjesëmarrja në ceremoninë e përcjelljes së trupave komando shqiptare në Afganistan në cilësinë e Komandantit të Forcave të Armatosura.
Sipas nenit 168 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe megjithëse ai ka qenë në Shqipëri, mësohet se i ka munguar ftesa për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ministria e Mbrojtjes nuk e ka përfshirë në axhendën e këtij aktiviteti kreun e shtetit, i cili është njëkohësisht edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ka qenë Kryeministri Berisha ai që i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit “Eagle-1”, nënkolonel Dritan Demirajt, pak minuta përpara se të nisej delegacioni shqiptar drejt Afganistanit. Ceremonia përfundoi me një foto të përbashkët të Kryeministrit Berisha, ministrit Imami dhe personaliteteve të tjera të pranishëm në ceremoni me trupat e kontingjentit që niset me mision në Kandahar të Afganistanit. Burime nga Presidenca bëjnë me dije se nuk janë në dijeni nëse Ministria e Mbrojtjes ka dërguar ndonjë ftesë që kreu i shtetit, Bamir Topi, të marrë pjesë në këtë ceremoni. Mazhoranca qeverisëse e përsërit një precedent të tillë që prej kohës kur funksionin e Presidentit e ushtronte Alfred Moisiu. Ky është i pari kontingjent paqeruajtës shqiptar që do të angazhohet në terren përkrah forcave amerikane. Për të parën herë, paqeruajtës shqiptarë do të angazhohen në operacione luftarake përkrah forcave amerikane. Madje, duke ditur shkallën e lartë të vështirësisë për kryerjen e detyrës, në drejtim të këtij kontingjenti është vënë komandanti i Batalionit Special, nënkolonel Dritan Demiraj. Kjo është eksperienca e parë e oficerëve shqiptarë në drejtimin e operacioneve të mirëfillta luftarake. Pjesëtarët e këtij kontingjenti hynë tashmë në historinë e angazhimeve mbi 15-vjeçare të Forcave tona të Armatosura, si njësia e parë që do të realizojë detyra operative jashtë vendit. Kontingjenti paqeruajtës “Eagle-1”, përbëhet nga 44 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, efektivë të Batalionit Special të Forcave Tokësore.
#