E Diel, 1 Nëntor 2026

Selia rozë nis përgatitjet për zgjedhjet lokale

Kreu i PS-së, Edi Rama, takohet me drejtuesit në rrethe. Porosi për evidentim strukturash dhe bashkëpunim me deputetët

Zgjedhjet e ardhshme lokale shtrojnë para Partisë Socialiste një sfidë të dyfishtë politike. Përveç ballafaqimit që mbështetet në cilësinë e kandidatëve, selia rozë i afrohet raundit elektoral të vitit 2011 me një përbërje të rifreskuar tërësisht në degët e rretheve. Për këtë arsye dhe në funksion të një përgatitjeje maksimale për pranverën e vitit 2011, kreu i saj, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me të sapozgjedhurit në krye të degëve të rretheve, struktura këto të krijuara rishtas. Burime nga aktiviteti në fjalë kanë bërë të ditur se direktivat e Edi Ramës ndaj drejtuesve lokalë socialistë kanë zbuluar edhe atë që mund të quhet strategjia normale parapërgatitore e opozitës për zgjedhjet lokale. Evidentim i problemeve të komunitetit nëpër të gjithë territorin e vendit, listimi i plotë i anëtarësisë dhe një pasqyrim integral i gjendjes ekzistuese të strukturave, kanë qenë orientimet bazë në takimin e djeshëm. Kjo masë ka rëndësi jo vetëm pse adreson problemet që dominojnë komunitetin si përmbajtje e fushatës së ardhshme, por edhe pse ajo i vendos të zgjedhurit e rinj në një pozitë pune që nxit forcimin e institucioneve në bazë. Në këtë kuadër është me rëndësi të nënvizohet se shumë prej drejtuesve të rinj të degëve socialiste vijnë në këtë detyrë për herë të parë dhe për rrjedhojë kanë një përgjegjësi shtesë në këtë drejtim. Por i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe integriteti i procesit zgjedhor në PS, që nxori në krye të degëve të rretheve emrat aktualë. Ashtu sikurse është pasqyruar, procesi elektoral është shoqëruar me probleme jo të pakta, të cilat, edhe pse ende nuk e kanë shpalosur mirë përmasën e tyre, është e logjikshme të llogariten si kosto në zgjedhjet lokale të 2011-s. Shembull për këtë është precedenti i vitit 2007, ku u dëshmua paradoksi i fitores së majtë në qytetet kryesore dhe humbja e papritur e saj në mjaft bashki të nivelit të dytë dhe komuna të rëndësishme. Për ta thënë me gjuhën e përdorur deri më sot, në 2007-n, për shkak të shpërfilljes së pakënaqësive të akumuluara nga përfaqësues të ndryshëm socialistë, selia rozë provoi shijen e hidhur të humbjes së disa bastioneve. Kjo përvojë, si dhe nevoja për afirmimin politik të opozitës, e bën punën e strukturave të reja jetike. Në këtë kontekst, kreu socialist ka vijuar më tej, duke kërkuar nga drejtuesit lokalë të PS-së “forcimin e punës me deputetët e qarqeve përkatëse”. Një iniciativë kjo “centralizuese”, po të mbahet parasysh fakti se zgjedhjet lokale kanë një specifikë të ndryshme nga zgjedhjet parlamentare dhe në përgjithësi priren që të ndikohen më së shumti nga drejtuesit e pushtetit vendor që i përkasin opozitës. Për pasojë, forcimi i punës mes deputetëve dhe të zgjedhurve në krye të degëve të rretheve është parantezë e procesit politik, që synon ndërtimin e një linje komunikimi me bazën, që priret të kristalizojë një ngrehinë elektorale që kontrollohet nga ekipi drejtues në qendër. Duhet thënë se kjo është një sfidë më vete në shumë qarqe, ku deputetët socialistë janë zgjedhur për herë të parë, e që për më shumë nuk kanë përvojë në punët e partisë. Procesi si i tillë është i dyfishtë në vlerën e vet dhe do të marrë konfirmimin në ato zona ku PS-ja pretendon fitoren e munguar në 2007-n. Këtu është me vend të risillet në kujtesë fjala e Ramës e mbajtur menjëherë pas rezultatit që u konsiderua si fitues asokohe. Sipas tij, “PS-ja do të nisë një analizë të hollësishme” për të nxjerrë konkluzione në ato zona ku nuk u arrit rezultati i kërkuar. Takimi i djeshëm është ndoshta testimi i papërfunduar i saj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›