E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: E vetmja alternativë, bashkimi i qytetarëve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje gjatë një takimi në Koplik, se politika e 18 vjetëve ndihet e kërcënuar nga bashkimi i të gjithë qytetarëve rreth politikës së re të PS-së.

Gjatë bashkëbisedimeve në kuadër të turit "Vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim", Rama renditi arsyet përse Shqipëria e meriton të jetë si gjithë Evropa. "Ne e duam Shqipërinë dhe do ta ndryshojmë atë, do ta bëjmë si gjithë Evropa, duke çuar kështu në vend edhe amanetin e të parëve tanë", nënvizoi, ndër të tjera, Rama. Kryesocialisti theksoi se e vetmja alternativë që i mbetet vendit, përballë korrupsionit e varfërisë, është bashkimi i ri i qytetarëve. "Përballë papunësisë, ju besoni tek aftësia jonë e përbashkët për ta vënë në vend të drejtën e të jetuarit me punë të ndershme. Përballë mungesës së shpresës dhe korrupsionit mbytës ju besoni te mundësia jonë e përbashkët, për t‘i dhënë jetë një politike të re, për një Shqipëri si e gjithë Evropa", nënvizoi Rama. Por, sipas tij, që Shqipëria të ndryshojë, politika duhet të ndryshojë. "Që Shqipëria të jetë vendi i punës dhe i shpresës, politika duhet të nxitë punën dhe të ushqejë shpresën. Që Shqipëria të bëhet si e gjithë Evropa, politika në Shqipëri duhet të bëhet evropiane", tha Rama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›