Meta: Të ardhurat e pushtetit vendor po përdoren për demonstrata
Lëvizja Socialiste për Integron planifikon 1000 takime për periudhën paraelektorale për zgjedhjet e 8 majit
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim është përfshirë në procesin parapërgatitor të zgjedhjeve të ardhshme lokale, që pritet të mbahen në datën 8 maj. Në takimin e zhvilluar dje, me kryetarët e LSI-së nëpër rrethe, pikërisht për këtë çështje, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se janë 1000 takime të programuar për periudhën paraelektorale, që përfshin muajt shkurt dhe mars. “LSI ndryshe nga zgjedhjet e 2009-s, ku u diskriminua përmes një kodi, i cili u njoh ndryshe si kodi anti-LSI, ndryshe pra nga zgjedhjet e 28 qershorit do të ketë përfaqësuesit e saj, komisionerët e saj në të gjithë vendin dhe kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për të mbrojtur votën për LSI-në, por mbi të gjitha për të zgjeruar më tej transparencën e gjithë procesit zgjedhor në vend. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe nuk do të reshtim së kërkuari, sikurse kemi bërë prej vitesh, për të implementuar ndryshimet e duhura në kodin zgjedhor, por dihet që ajo palë, e cila e inicioj këtë kod, që është në fuqi, dhe mbi të cilin u administruan zgjedhjet e 28 qershorit, nuk ka vullnet për reformë zgjedhore, nuk ka vullnet për transparencë të vërtetë, sepse transparenca bëhet me ligj dhe duke përmirësuar ligjet, megjithatë është çështje e saj”, tha dje Meta. Ai shtoi se 8 maji është fokusi kryesor i LSI-së. “Sepse qytetarët tanë gjithnjë e më shumë po bëhen dëshmitarë që bashkitë, që komunat, resurset e tyre, taksat që paguajnë qytetarët tanë po shkojnë për mitingje. Po shkojnë për të mbushur autobusë, po shkojnë për të paguar njerëz për të sponsorizuar akoma më tej çështje të cilat zgjidhen përmes ligjit, zgjidhen përmes dialogut në institucione demokratike dhe mbi të gjitha duke harruar, nënvlerësuar dhe shkallmuar interesat e përditshme të qytetarëve, të cilët kërkojnë shërbime më të mira publike dhe në radhë të parë nga të zgjedhurit vendor”, - shtoi Meta. Ai theksoi se për zgjedhjet e ardhshme do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me OSBE-ODIHR, si dhe me gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.