E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale, Berisha mbledh Këshillin Kombëtar

SHKRUAN: Nevila Perndoj 05-02-2011 10:07

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të mbledhë për herë të parë, pas më shumë se një viti, Këshillin Kombëtar. Forumi më i lartë i demokratëve (që pritet të mblidhet të dielën paradite) nuk do të thirret për të zgjedhur strukturat e selisë blu, kryesinë dhe sekretariatin, që vazhdojnë të jenë inekzistente, që prej muajit dhjetor të vitit 2009. Arsyeja lidhet me 8 majin, datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Kjo mbledhje vjen në një krizë të thellë politike, ku opozita kërkon me çdo kusht zgjedhje të parakohshme dhe se në një situatë të tillë, sipas saj, nuk mund të ketë as zgjedhje lokale më 8 maj. Por ndryshe nga axhenda e opozitës, pas takimit të fundit me të deleguarin e BE-së, Miroslav Lajcak, Kryeministri Berisha kërkon të ndryshojë strategji, të mbledhë formalisht për herë të parë Këshillin Kombëtar, për të bindur tashmë elektoratin e saj se ka ardhur koha për të menduar për zgjedhjet lokale. Këshilli Kombëtar i PD-së do të jetë thjesht një formalitet, ndërkohë që i vetmi që pritet të flasë në këtë forum të lartë do të jetë Kryeministri Sali Berisha, i cili do të njoftojë gjatë fjalës së tij edhe fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet vendore. Edhe pse do të flitet për zgjedhjet lokale, në axhendën e punimeve të Këshillit Kombëtar nuk do të ketë diskutime për kandidatë e aq më shumë ndonjë pikë tjetër në rendin e ditës, siç mund të ishte zgjedhja (qoftë edhe formalisht) e kryesisë së re dhe sekretariatit. Ndryshe nga çfarë parashikohet në statut, ku data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve, jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes, kësaj here mbledhja e këshillit është njoftuar krejt beftas, pas një vendimi të marrë dy ditë më parë nga vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha. Në bazë të statutit, mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast, Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat, kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur. Kësaj here, po në bazë të statutit, Këshilli Kombëtar duhet të zgjidhte: Sekretarin e Përgjithshëm; ii. Nënkryetarët e Partisë; iii. Sekretarët funksionalë; iv. Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë dhe Komisionin Qendror të Apelimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›