Meta: Videon e montuar do ta çmontojmë
TIRANË- Në kuadër të turit parapërgatitor për zgjedhjet e ardhshme lokale, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është ndalur dje në qytetin e Shkodrës. Duke folur për ditët e përmbytjes së Shkodrës, të cilën ai e cilësoi si fatkeqësi natyrore, Ilir Meta nuk ka shmangur nga fjala e tij edhe videon aferë mes tij dhe Dritan Priftit. “Ai (Rama), i cili mori përsipër të montojë një video televizive, ne në mënyrë shumë ligjore do ta çmontojmë jo vetëm atë, por gjithë politikën e dhunës, të urrejtjes dhe të vëllavrasjes, që ai kërkon të fusë midis shqiptarëve dhe midis shkodranëve. Montoi një video jo thjesht për të dëmtuar Ilir Metën apo forcën politike që unë përfaqësoj, jo thjesht dhe vetëm për të dëmtuar një qeveri dhe një mazhorancë legjitime, por montoi me vetëdije të plotë një video dhe doli garant para të gjithë shqiptarëve se ajo ishte e vërtetë vetëm e vetëm për të frymëzuar dhe për të justifikuar politikën e dhunës dhe ai është përgjegjësi kryesor për vrasjen e tre qytetarëve të pafajshëm. Është përgjegjësi kryesore për plagosjen e dhjetëra policëve dhe qytetarëve të pafajshëm. Është fajtor kryesor për dëmtimin e imazhit në mënyrë krejtësisht të pamerituar të Shqipërisë”, tha dje Meta. Kryetari i LSI-së ka kujtuar se ngjarja e 21 janarit ndodhi pas vendimit për liberalizimin e vizave. “E gjithë kjo politikë dhune, shpërtheu atëherë kur Shqipëria realizoi një nga arritjet më të mëdha dhe historike për qytetarët shqiptarë, që ishte pikërisht heqja e vizave për gjithë shkodranët, për të gjithë shqiptarët, një arritje e merituar, e arritur me shumë punë, me shumë sakrifica, me shumë reforma dhe standarde të plotësuara. Një arritje, e cila kishte një kundërvënie të brendshme që vinte pikërisht nga ky njeri, të cilit i errësohen sytë për çdo sukses që arrin Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët”, tha ai. Meta ju uroi mirëseardhjen edhe disa prej ish-figurave të PS-së, që së fundmi i janë bashkuar LSI-së, Shkodër.