E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset 37-vjeçari, policia arreston autorin

Autori i Lajmit: red.
Një person ka ngelur i plagosur mbrëmjen e dy ditëve më parë në lagjen e Kombinatit në rrugën “Llazi Miho”. Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë bërë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Maliq Abdurahmanaj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, ky person dyshohet se dy ditë më parë, pas një konflikti për motive të dobëta mes tij dhe Luan Gashit, 37 vjeç, ka tentuar ta vrasë me armë të ftohtë thikë këtë të fundit, në afërsi të rrugës “Llazi Miho” në Tiranë, duke e goditur dy herë me thikë pas shpine. Policia tha se, falë marrjes së shpejtë të informacionit mbi këtë ngjarje, strukturat e posaçme të hetimit të krimit mundësuan brenda pak minutave identifikimin dhe kapjen e Abdurahmanaj, në afërsi të shkollës Hoteleri - Turizmit në Tiranë. Aktualisht i plagosuri Gashi ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet hetimore në ngarkim të të dyshuarit i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›