E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të ndëshkohet teatri i shëmtuar politik

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, Edmond Panariti, zhvilloi një takim në formë bashkëbisedimi me qindra banorë të Komunës Luz të Kavajës. Duke i përshëndetur të pranishmit, Meta theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. Meta tha se nuk mund të arrihen standarde evropiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. Lideri i LSI, theksoi se zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve, janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi. Ndaj, tha ai, për t‘i dhënë fund gjithë kësaj situate kaotike që po kalon vendi, LSI-ja është e vetmja forcë politike që mund të nxjerrë vendin nga kjo amulli në të cilën ndodhet prej vitesh. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se,- është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS dhe PD, jo vetëm me votë, por njëkohësisht, edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›