E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjedhjet 2009, do të monitorojmë punën e qeverisë

Muajt e mbetur deri në qershor do të jenë decizivë për organizimin e procesit të ardhshëm. Drejtuesit e Partisë Socialiste deklarojnë se në fokusin e kësaj force politike do të jetë monitorimi i ekzekutivit në përmbushjen e detyrimeve për proces të ndershëm zgjedhor. Sipas sekretarit për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, bashkëpunimi i koalicionit të majtë është një temë e cila pret. Ai konstatoi se ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, hartimi i listave dhe përcaktimi i mandateve zgjedhore në qarqe janë çështje të cilat kërkojnë vullnet për t‘i zgjidhur. Islami insistoi në faktin se Partia Socialiste do të tregojë një vëmendje të veçantë për sa i përket zbatimit të Kodit Zgjedhor me përpikmëri. "Në këtë kuadër, vullneti politik i mazhorancës për zgjedhje me standarde do të jetë objekt i analizës së Partisë Socialiste", u shpreh Islami. Sipas procedurave ligjore, Kodi i ri Zgjedhor u botua në 30 dhjetor 2008 në Fletoren Zyrtare së bashku me dekretin e kreut të shtetit, Bamir Topi. Ashtu siç parashikohet në 15 janar hyn në fuqi ligji elektoral dhe maksimumi pas shtatë ditësh nga ky moment Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›