E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të rishihen taksat

Tiranë-Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm në tregun e produkteve ushqimore në Tiranë. Meta i bëri apel Qeverisë dhe pushtetit vendor për të riparë dhe njëherë taksat që paguajnë tregtarët, sikurse janë “taksa e tabelës” apo “taksa e gjelbërimit”. “Ju vetë po e shikoni sot se këtu ka ambiente 5 apo 6 metra katrorë që paguajnë 140 mijë lekë taksë tabele dhe tabelë nuk ka asgjëkund, apo që paguajnë 280 mijë lekë taksë gjelbërimi dhe gjelbërim nuk ka asnjë pëllëmbë”-theksoi Meta.

Duke pasur rastin për të shpalosë disa nga pikat e programit të LSI, ish-Kryeministri Meta nënvizoi se,- ne jemi të vendosur për të përgjysmuar TVSH për 12 produkte bazë ushqimore, me qëllim që të kontribuojmë për uljen e çmimit të ushqimeve dhe njëkohësisht për të ndihmuar sadopak familjet shqiptare, të cilat kanë sot probleme edhe me ushqimin e fëmijëve të tyre duke pasur një kosto sa më të vogël të këtij komponenti jetik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›