E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Urgjente nisja e reformës zgjedhore, kusht për integrimin

TIRANË- Është mbledhur sot Komiteti Drejtues Kombëtar, i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në nisje të së cilit kryetari Ilir Meta ka deklaruar se zgjedhjet e 8 Majit ishin transparente, ndërkohë që e vuri theksin tek nisja e reformës zgjedhore, e penguar sic tha ai nga opozita. Meta i bëri thirrje forcave politike të nisin punën për reformën zgjedhore, duke kontribuar kështu edhe për integrimin e vendit.

“Tashmë kapitulli i zgjedhjeve të 8 Majit është mbyllur, dua t’i cilësoj si zgjedhjet me të pastra dhe më të rregullta të zhvilluara ndonjëherë, sic janë shprehur edhe ndërkombëtarët. Këto zgjedhje sollën në pah rinisjen e një reforme zgjedhore që t’i japë zgjidhje cdo lloj shqetësimi që vjen nga bërja e përgjysmuar e kodit zgjedhor. Është në interes të forcave politike të bashkëpunojnë, duke i dhënë fund diskriminimit të forcave politike. Reforma zgjedhore duhet të kishte filluar menjëherë pas zgjedhjeve të 2009, pengesat kanë qenë nga opozita, kjo është për të ardhur keq. Eshtë e rëndësishme që kjo reformë që kërkohet edhe nga ndërkombëtarët të mos mbetet nga fundi”, bëri me dije Meta.

Meta u shpreh më tej se kjo reformë nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese, është koha që ajo të bëhet urgjentisht, pasi ndihmon edhe vendin në plotësimin e kritereve të kërkuara nga BE.
“Reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese, bërja e saj është nevojë urgjente. Ndërsa për ndryshimet kushtetuese nuk duhet të nxitojmë dhe të gabojmë sërish. Ato nuk duhet të bëhen me presione politike”, shtoi Meta.

Në kuadër të plotësimit të reformave integruese Meta kërkoi ndër të tjera “Të mblidhet parlamenti dhe të votohen ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar me qëllim që të kontribuojnë për arritjen e objektivave për anëtarësimin në BE”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›