E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vendi i rrezikuar

Kavajë - Pas ndryshimeve Kushtetuese, vendi është akoma edhe më tepër i rrezikuar nga pasiguria institucionale në vend. Kështu ka deklaruar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi që zhvilloi me banorë të fshatit Kryevidh të Kavajës një ditë më parë. "Pas 21 Prillit, natës së errët të ndryshimeve Kushtetuese, institucionet në vend janë gjithmonë edhe më të pasigurta, sepse është rrëzuar themeli i shtetit shqiptar", u shpreh ai.
Shikoni, u shpreh Meta, PS-PD gjetën konsensusin tani në një mënyrë të çuditshme për "Ligjin për Prokurorinë". "Projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit". Vetëm nga frika se mos LSI-ja me të drejtë do të merrte anëtarin e KQZ-së u shpreh Meta, PS-ja dha konsensus për këtë ligji, kur jo më vonë se pak ditë më parë lidershipi i saj deklaroi që nuk do e mbështeste këtë draft. Edhe Sekretari i LSI për Bujqësinë dhe Mjedisin, Prof. Edmond Panariti, shprehu shqetësimin e tij për diskriminimin e rëndë që i është bërë nga buxheti i shtetit bujqësisë dhe ushqimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›