E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Vendi ka nevojë për një lidership të provuar”

Autori i Lajmit: red.
Vendi ynë ka nevojë për një lider që ka provuar se di të drejtojë mirë vendin aq më tepër kur jemi në një situatë krize. Kështu ka pohuar dje në një nga njësitë bashkiake të Tiranës, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas tij, në 28 qershor shqiptarët do të votojnë për LSI-në se e kuptojnë që vetëm kjo forcë politike mund t’i nxjerrë nga kriza ekonomike dhe sociale e mbi të gjitha nga kriza e besimit që ofrojnë alternativat e vjetra, me në krye alternativën më të vjetër që përfaqëson vetëm kryeministri në largim Sali Berisha. “Shqiptarët do të votojnë për LSI-në se kërkesa më e madhe e shqiptarëve sot është për të punuar dhe programin më të mirë për punësimin e ka LSI. Vendi ka nevojë për një lidership të provuar, sepse po kalon një situatë krize ekonomike, e cila mund të thellohet edhe më tej dhe unë jam i bindur se Tirana dhe e gjithë Shqipëria, do të votojë për LSI-në dhe Ilir Metën, sepse nuk mund t’i zgjidhin hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve të thjeshtë, politikanë që janë mësuar vetëm të fitojnë nga politika, por që nuk sakrifikojnë dot, nuk rrezikojnë dot, sepse nuk besojnë në radhë të parë tek sakrifica që kërkon politika në shërbim të njerëzve”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 12/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›