E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet, përgjegjësi e qeverisë dhe e partive politike”

Autori i Lajmit: red.
Shqipëria duhet të ketë kujdes me zgjedhjet, pasi janë në lojë kredencialet e saj si një vend demokratik. Ambasadorja e re e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlëham, në një intervistë për TCH ka pohuar se është fillimisht përgjegjësia e qeverisë dhe e partive politike për të siguruar një proces të ndershëm zgjedhor. “Zgjedhjet janë të rëndësishme në çdo demokraci, por kanë rëndësi këtu në Shqipëri që ajo të tregojë angazhimin ndaj procesit të reformave. Nga perspektiva britanike, gjëja thelbësore është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, dhe sigurisht së pari, është përgjegjësi e qeverisë dhe e partive politike që ta sigurojnë që të ndodhë kështu”, - tha ajo. Ambasadorja britanike ka komentuar dhe problemin e kartave të identitetit duke pohuar se thelbësore është që kush ka dëshirën dhe të drejtën të votojë, ta ketë këtë mundësi më 28 qershor. “Për këtë i duhet pasaportë apo kartë identiteti. Kështu që zbatimi i këtij procesi ka shumë rëndësi, kjo është fare e qartë. Dhe tani po i afrohemi afatit të fundit për aplikim për kartë identiteti. Pra, është përgjegjësia e të gjithëve ne, por sidomos e udhëheqësve politikë këtu, që të inkurajojnë njerëzit që të pajisen me dokument identifikimi, i cili u duhet për të votuar”, - ka pohuar Fiona McIlëham. Sipas saj, sfida e ardhme e Shqipërisë pas zgjedhjeve do të jetë ecja përpara e reformave që do të bëjnë të mundur anëtarësimin. “Ka një proces shumë të qartë dhe një sërë kushtesh për anëtarësim në BE dhe ka rëndësi që qeveria e re, cilado qoftë, të fokusohet menjëherë në programin e reformave dhe të ndërtojë mbi progresin e arritur”, - përfundoi ajo.
Ky lajm është publikuar: 12/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›