E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohet ‘Toena’. Kreu i PS-së: “Berisha të kthejë librat”

Autori i Lajmit: red.
Policia tatimore ka sekuestruar dje librarinë “Toena”, e cila ndodhet në një qendër tregtare në autostradën Tiranë- Durrës. Sipas drejtorit të shtëpisë botuese “Toena”, Fatmir Toçi, ky është një sulm i hapur politik për shkak të kandidimit të tij si deputet i Partisë Socialiste. “Për këtë gjë jam njoftuar nga punonjësit e mi, pasi unë ndodhem për fushatë. Më thanë se punonjësit e tatimores kanë vajtur dhe kanë sulmuar bankinën promocionale me pretendimin se kjo bankinë nuk ka një numër NIPT-i të dytë. Punonjësve të tatimores u janë vrarë sytë nga posteri dhe publikimi që po i bëhet librit të Ben Blushit, ata nuk e kanë duruar dot këtë gjë”,- u shpreh Toçi. Lidhur me këtë incident ka reaguar dhe kreu i selisë rozë, Edi Rama, i cili e konsideroi ngjarjen si të shëmtuar. “Ka ndodhur që libra të shkruar dhe të botuar nga deputetë të Partisë Socialiste, nga njerëz të angazhuar në fushatën tonë, në vijën e parë, si Ben Blushi dhe Fatmir Toçi, janë sekuestruar nga xhandarët e Sali Berishës, duke na kthyer mbrapsht, në kohëra të zymta, ku pushteti kishte armik librin dhe kur liria e të shkruarit, liria e të botuarit, liria e të shprehurit ishin të kushtëzuara domosdoshmërisht nga tekat dhe nazet e pushtetit”, - tha ai. Sipas Ramës, ky veprim është një ndër shprehjet më flagrante, më abuzive, më arrogante të një politike të vjetër që duhet të marrë fund. “Unë i bëj apel Sali Berishës, të kthejë librat në sergjenët e tyre, të kthejë menjëherë dinjitetin e nëpërkëmbur të librit, të shkrimtarit dhe botuesit si dhe të kthejë menjëherë ato që ka sekuestruar që nuk janë mallra dosido, por janë libra”, - tha Rama.

Ky lajm është publikuar: 12/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›