Naftësjellësi AMBO, të martën finalizohet në Sofje
25/12/2004 Të martën e ardhshme, në Sofje të Bullgarisë, përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë e Bullgarisë do të inaugurojnë nisjen e ndërtimit të naftësjellësit AMBO, me nënshkrimin e Memorandumit tripalësh për ndërtimin e naftësjellësit Burgas–Vlorë. Agjencia bullgare e lajmeve BGNES, paralajmëroi takimin e kryeministrave Fatos Nano e Vllado Buçkovski, në Sofje, të cilët do të priten dhe do të bisedojnë me homologun e tyre bullgar, Simeon Saksoburgotski, ndërsa pas firmosjes së Memorandumit tripalësh, tre kryeministrat do të japin edhe deklarata për mediat. Në Sofje, po atë ditë, do të firmoset dhe Memorandumi për mirëkuptim dhe pajtueshmëri për ndërtimin e naftësjellësit transballkanik. Dokumentin do ta firmosin ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi, ministri shqiptar i Energjetikës, Viktor Doda, ministri bullgar i Zhvillimit Rajonal, Valentin Cerovski dhe kryetari i korporatës AMBO, Eduard Ferguson. Me naftësjellësin AMBO duhet të transportohet nafta ruse për tregun evropian, nga porti bullgar Burgas, përmes Maqedonisë, deri në portin shqiptar Vlorë. Qeveria e Sofjes në nëj prononcim të fundit, theksoi se naftësjellësi është një prej prioriteteve energjetike infrastrukturore për Bullgarinë, me rëndësi rajonale evropiane. Nënshkrimi i dokumentit të mirëkuptimit për AMBO-n ka sjellë dhe përfundimin e debateve mes palëve. Ndërsa gjithçka do të ketë monitorimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, pasi naftësjellësi AMBO sjell një mundësi më të madhe për integrimin dhe zhvillimin e vendeve që do të preken prej tij. B.S.