PLL: Taksa e votës, përralla e radhës e së majtës
Kryetari PLL, Ekrem Spahiu ka deklaruar se Partia Socialiste kërkon të sabotojë procesin e pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti dhe ta zhvendosë debatin politik në fusha shterpë, duke krijuar një alibi për një disfatë të pritshme. Opozita e majtë po përpiqet në mënyrë spekulative të ngrejë një furtunë në gotë dhe ta paraqesë procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti si një taksë ndaj votës.
PLL vlerëson se Shqipëria po konsolidon në mënyrë të vazhdueshme demokracinë dhe po ecën e sigurt në plotësimin e standardeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është shprehur Spahiu. Kryetari i PLL, ka deklaruar se ende pa ardhur dita e votimit kur të gjitha premisat janë, se më 28 qershor do të realizohen zgjedhje të ndershme dhe të lira, opozita e majtë harron se kjo maxhorancë e djathtë ka rikthyer në Shqipëri votën e lirë. Sipas tij, taksa e votës është trillim qesharak edhe një skenar i parapërgatitur dhe shqiptarët nuk e kanë harruar debatin për certifikatat me një apo dy vula, që Partia Socialiste ngriti në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor në fund të vitit 2006. Shqiptarët e dinë mirë se është pikërisht opozita e majtë ajo që kërkoi përjashtimin e certifikatave si dokument identifikimi për zgjedhjet e vitit 2009, tha kreu i PLL, ku ndër të tjera shtoi se opozita e majtë duhet të ndjehet fatlume që askush deri më sot nuk i ka kërkuar asaj që të shpaguajë taksën e gjakut, që ka qenë një taksë e vërtetë të cilën shqiptarët kanë paguar për votën e lirë gjatë regjimit komunist. Në këtë kuptim, sipas tij të majtët mund të bëhen avokatë të gjithkujt, por kurrsesi avokatë të votës së lirë.