E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet, lekët ngrenë ujin lart e jo më një ekip futbolli

22/03/2011  Interceptohen biseda që FSHF e presidentët e klubeve përcaktojnë gjyqtarët

TIRANE-Në një kohë kur shumica e sportdashësve të futbollit mendojnë se sporti në Shqipëri është kthyer në bixhoz, tashmë kjo është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Prokuroria, e cila nga përgjimet e kryera ka arritur të interceptojë disa biseda ku vërtetohet trukimi i ndeshjeve sportive. Hetimet 5-mujore kanë nxjerrë në dritë botën e errët të futbollit shqiptar që megjithëse e shumëpërfolur, asnjë rast nuk ishte konkretizuar me arrestime konkrete. Sipas Prokurorisë së Durrësit, nga përgjimet e kryera ndaj personave të dyshuar për afera korruptive, janë interceptuar dhjetëra biseda që lidheshin me trukimin e ndeshjeve sportive. Një nga këto biseda mendohet se është kryer mes presidentit të Rubikut, Paro Laçi, dhe gjyqtarit Shkëlqim Balliu, ku ky i fundit dyshohet se është shprehur: “Mjafton të paguash paratë, se rezultatin e kam në dorë vetë”. Bisedat e përgjuara, duket se kanë nxjerrë në dritë dhe disa “pazare” mes administratorit të ekipit të Rubikut dhe zyrtarëve të FSHF-së. Sipas burimeve pranë Prokurorisë në një bisedë mes Laçit dhe një zyrtari të FSHF-së, kërkohet mbajtja e rezultateve pozitive të një ekipi futbolli, emrin e të cilit prokurorët nuk e bëjnë publike. Kjo skuadër rrezikonte të binte nga kategoria e parë. Lidhur me këtë çështje prokurorët shprehen shumë të rezervuar, por ata shtojnë se kanë interceptuar biseda të tjera ku personat e dyshuar nga FSHF-ja, premtonin trukimin e ndeshjeve, duke u shprehur se: “Paratë ngrenë ujin lart, dhe jo më një ekip futbolli”. Burimet theksojnë se zyrtarë të lartë në FSHF në konsultim dhe me presidentët e klubeve, përcaktonin dhe gjyqtarët në ndeshjet sportive, duke arritur rezultatin e kërkuar. Pritet që njësia Task-Forcë të ndajë aktet hetimore duke verifikuar imtësisht pozicionin e disa zyrtarëve të FSHF në trukimin e rreth 5 ndeshjeve të futbollit në vend.

Procedimi i parë

Trukimi i rezultatit të ndeshjeve sportive është vepra e parë penale që është regjistruar dhe për të cilën u procedua me arrestim të gjyqtarit Shkëlqim Balli, personit që pagoi paratë dhe personit që urdhëroi. Neni 197/a paragrafi i dytë parashikon dënim nga dy deri në shatë vjet burgim. Kjo vepër penale ka hyrë në fuqi vetëm para dy vjetësh dhe për këto arsye edhe nuk ka pasur procedime të tjera. Siç shihet ky paracaktim rezultati në një ndeshje jo të rëndësishme është vetëm maja e ajsbergut që ndodh në të vërtetë në futbollin shqiptar. Gjatë këtyre ditëve hije dyshime për trukimin e ndeshjeve të futbollit janë ngritur dhe ndaj disa rasteve, ku për të cilat FSHF-ja ka nisur një hetim administrativ. Rastet në fjalë kanë vënë nën lupën e ekspertëve ekipet elitare të kampionatit shqiptar si Dinamo, Skëndërbeu apo Shkumbin e Flamurtari. Ndwrkohw qw tani asnjw nga zyrtarwt e kwtyre klubeve por edhe pwrfaqwsues tw FSHF-sw skano marw pwrgjegjwsitw administrative dhe jo mw ato penale.

Për Paro Laçin do kërkohet “arrest në burg”

Gjykata e Durrësit vlerëson sotmasat e sigurisë për të ndaluarit

Gjykata e Durrësit pritet të shqyrtojë sot kërkesat e njësisë antikorrupsion për caktimin e masës së sigurimit për 9 të arrestuarit e akuzuar për trukimin e rezultatit të ndeshjeve sportive dhe ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari. Nga ana e Prokurorisë nuk është bërë me dije se me çfarë masash konkrete i është drejtuar gjykatës së Durrësit, por burimet thonë se për pjesën më të madhe të të ndaluarve, përfshirë këtu dhe Paro Laçin do kërkohet masa e sigurisë “arrest në burg”. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme hetues të çështjes janë përpjekur të marrin në pyetje personat e arrestuar, por asnjëri prej të ndaluarve s’ka pranuar të flasë. Aktualisht njësia Task-Forcë pranë Prokurorisë së Durrësit është duke verifikuar dhe disa dokumente të sekuestruar nga Ministria e Ekonomisë dhe QKR-ja, me qëllim hetimin e procedurës së dhënies të tenderit për koncesionet minerale në minierën e kromit në Bulqizë. Për këtë çështje, dyshohet se është kapur me 40 mijë euro në dorë ish-administratori i Partizanit, Paro Laçi, i cili ia ka marrë një biznesmeni duke i premtuar se do ndikonte në Ministrinë e Ekonomisë që kjo e fundit t’i dhuronte lejen konçesionare. Sipas Prokurorisë, Paro Laçi ka marrë dhe 40 mijë euro të tjera, ku i ka premtuar familjarëve të një të dënuari se do ndërhynte tek gjyqtari që i afërmi i tire të merrte pafajësi.

Prishja e 40 mije eurove

Shumën prej 40 mijë euro të marrë nga anëtarët e familjes së të dënuarit me inicialet A.V, duket se Paro Laçi, Bledar Kume dhe Agron Arusha e kanë harxhuar, për të zgjidhur punët persona të tyre dhe jo për të kryer porosinë e marrë përsipër. Sipas akuzës, kjo vërtetohet nga pakënaqësia e familjarëve, të cilët kanë denoncuar se paratë që kanë dhënë, nuk kanë mundur t’i marrin dhe se as lirinë e të dënuarin me inicialet A.V se kanë konkretizuar. Për këtë pakënaqësi ata kanë vendosur të denoncojnë në Prokurori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›