E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrja në Greqi, konfiskohen dy apartamente

22/03/2011  Krimet e Rënda vendosin konfiskimin e pasurisë së Mariglen Kuçit

Apartamentet me vlerë 208 mijë euro i kalojnë shtetit

TIRANE- Dy apartamente me një vlerë financiare prej 208 mijë eurosh janë konfiskuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se objektet janë blerë nga para të fituara në rrugë kriminale. Dy pronat ishin të regjistruara në emër të familjarëve të të pandehurit Mariglen Kuçi, i cili dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare, nga një pengmarrje që ka kryer në shtetin helen. Sipas vendimit të gjykatës të dhënë pak ditë më parë urdhërohet konfiskimi i apartamentit me sipërfaqe 108.9 m2 me vlerë 70 mijë euro në Golem, si dhe apartamentit me sipërfaqe 106 m2 me vlerë 138 mijë euro në Tiranë. Ndërkohë që në vendim kërkohet heqja e masës së sekuestros për llogarinë bankare me një vlerë financiare prej 301 mijë lekësh të reja. Sipas Prokurorisë, apartamenti i banimit me sipërfaqe 106 metra katrorë e ndodhur në rrugën “Zef Jubani” ishte regjistruar në emër të shtetases Blerta Lami. I pandehuri Kuqi e ka blerë këtë apartament më 28 tetor 2009 nga shoqëria “Bjorn” me administrator shtetasin Manush Sinanaj për të cilën është paguar kesh 137 800 euro. Ndërsa apartamenti tjetër që ndodhet në Golem ishte regjistruar në emër të shtetasit Nikoll Lami. Nga hetimet ka rezultuar se Mariglen Kuçi ka paguar shumën prej 70 mijë eurosh. Këto banesa janë në zonën e Golemit, buzë detit. Prokuroria shton se Kuçi në bashkëpunim dhe me 7 persona të tjerë kanë kryer një pengmarrje. Ngjarja ka ndodhur në datën 19 qershor 2009 kur ata kanë rrëmbyer në hyrje të banesës së saj në “Palio Faliro Krono 1921” shtetasen Evanthia Farnkogjeorgji. Pas rrëmbimit, pengmarrësit i kanë kërkuar të dashurit të saj Anastasi Theodhoridhi shumën prej 1.8 milionë euro, shumë kjo e cila është paguar më 26 qershor 2009 ku dhe është liruar pengu. Më pas të pandehurit, këtë shumë financiare e kanë investuar në Shqipëri, duke blerë objekte dhe çelur llogari bankare në banka të ndryshme të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›