E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta dhe Ndoka nisin grevën e urisë

Autori i Lajmit: red.
Nis greva e paralajmëruar e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe ai i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka gjatë fjalës së tyre në Parlament kanë shpallur fillimin e grevës së urisë nga ana e deputetëve të partisë së tyre, si shenjë proteste ndaj hartimit të Kodit Zgjedhor nga PD e PS. Meta ka akuzuar kryetarët e këtyre dy partive, se po përgatiten për të shkatërruar procesin zgjedhor të vitit 2009. “Kemi një klimë anti-kombëtare. Duke mos pasur hartimin e një Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës, ne jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë për t i thënë ndal binomit Berisha-Rama, që synon shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme”, - ka deklaruar Meta. Sipas tij ky është momenti që të gjithë shqiptarët të reflektojnë e të reagojnë në mbrojtje të votës së tyre të shenjtë e të paprekshme nga askush! “Dje korrupsioni shembi një pallat në Gjirokastër dhe u mori jetën qytetarëve të pafajshëm. Tetë muaj më parë korrupsioni hodhi në erë në Gërdec jetën e dhjetëra qytetarëve e përmes tyre nuk kurseu as fëmijët, duke vrarë ëndrrat e tyre ende pa nisur.
Ndaj sot është momenti për t i dhënë goditjen e parë këtij sistemi të korruptuar qe në themelet e tij, duke i dhënë fund së pari korrupsionit elektoral”, - tha Meta. Kreu i LSI-së, pohoi se vota duhet të bëhet e shenjtë në këtë vend, në mënyrë që askush të mos vdesë më prej korrupsionit.
Duke ndjekur shembullin e kreut të LSI-së, edhe kreu demokristian, Nard Ndoka ka bërë të njëjtën gjë. Gjate seancës së djeshme plenare Ndoka ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama, duke thënë se ata po përpiqen të nënshtrojë Kuvendin, partitë politike dhe sistemin demokratik. “Berisha po ndërmerr inisiativën për të eleminuar Partinë Demokristiane që nuk mundi ta shndërrojë në një parti vasale të partisë së tij. Ky është një atentat që u bëhet zgjedhjeve të lira, demokracisë dhe qytetarëve. Me këtë Kod Zgjedhor, ne do kemi pas zgjedhjeve një Parlament të emëruar, institucione të emëruara dhe President të emëruar dhe kjo do ishte një goditje rrënuese për demokracinë dhe Kushtetutën e vendit”, - ka theksuar Ndoka. Në vijim të fjalës së tij ai u ka bërë thirrje gjithë deputetëve të djathtë që të bashkohen me nismën e PDK-së për të hyrë në grevë urie. Kësaj greve i janë bashkuar 11 deputetë të LSI-së e PDK-së.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›